TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste kërkon një mandat 8 vjeçar për të luftuar varfërinë, rimëkëmbur ekonominë shqiptare, dhe për të bërë atë që socialistët e quajnë rilindje të Shqipërisë.

Në një takim në qytetin e Durrësit Rama premtoi se në gjysmën e parë të mandatit qeverisës, nëse fiton zgjedhjet e 2013, do të përgjysmojë shifrat e varfërisë.

“Varfëria po kthehet në varfëri kronike, dhe ne synojmë përgjysmimin e varfërisë, në gjysëm e parë të mandatit të qeverisjes sonë pasi mendoj se projekti ynë ka nevojë për 8 vjet për tu përmbushur”- tha Rama. Sipas kreut socialist për rimëkëmbjen e vendit duhet një model i ri zhvillimi i bazuar tek punësimi, nxitja e investimeve dhe një vizion i ri si Shqiëpria mund të shfrytëzojë potencialet e paqes duke synuar projekte që kapërcejnë kufijtë jo vetëm me Kosovën por të gjithë rajonin.

Duke u ndalur në situatën aktuale të vendit, Rama akuzoi kryeministrin Berisha se qëllimisht ka hequr nga rezultatet e censusit kapitullin e papunësisë pasi ky kapitull vërtetonte shifrën e socialistëve se në Shqipëri janë 1 milionë të papunë.

“Qeveria u fshehu shqiptarëve të vërtetën zyrtare mbi papunësinë. U hoq kapitulli mbi papunësinë. Kryeministri që e ka marrë në varësi të drejtëpërdrejtë INSTAT urdhëroi heqjen këtij kapitulli sepse censusi vërtetoi gjendjen e papunësisë që ne e themi, që në Shqipëri ka mbi 1 milionë të papunë”- tha Rama.

Kreu socialist tha se “ qeveria ka hequr dorë edhe nga vlerësimet dhe nuk shpall shifrat zyrtare të varfërisë” madje Rama shtoi se PD fiton më shumë në qytete dhe fshatra ku ka më shumë varfëri dhe ku korrupsioni dhe presioni janë më të lehta për tu ushtruar.

“Ku PD merr mandate më të shumta, vendet janë më të varfër. Kjo shifër na shërben për të treguar se varfëria nuk është aleate e opozitës, por një kalë ku qeveria kalëron përmes korrupsionit dhe presioneve që janë shumë më të lehta ku ka varfëri sepse dhe frika kallet më shpejt”

"Po kështu sipas liderit të opozitës kanë rënë në mënyrë dramatike remitancat. “Këtë vit ato do të vijnë 450 milionë dollarë më pak. “

DUHET TE NXJERRIM SHQIPERINE NGA FALIMENTIMI

Sipas kryetarit të PS-së Shqipëria është në falimentim dhe operacioni që duhet bërë është nxjerrja nga falimentimi. “Jemi kundër faktit që borxhit shkon të financojë punë publike të lëna përgjysmë dhe një gjysëm tjetër të financojë korrupsionin. Nëse borxhi zë borxhin dhe nuk nxit punësimin duke krijuar kushtet që përmes punësimit borxhi shlyhet kjo nuk është pjesë e avantazheve të këtij sistemi por quhet faliment. Sot Shqipëria është në falimentim dhe sot operacioni që duhet bërë është nxjerrja nga falimentimi”.

Kryetari i PS-së tha sot se për çdo shqiptar borxhi që duhet të paguajë është rritur mbi 3000 dollarë, ndërkohë që një borxh prej të paktën 150 milionë euro është i shpërndarë në banaqet ushqimore. Për kreun e PS-së Shqipëria nuk vuan pasojat e krizës globale por nga rritja e papunësisë dhe shfrytëzimit pa kriter e karar të pasurive të veta.  “Sot Shqipëria është si një shtëpi ku rezervat e javës në frigorifer janë ngrënë deri të mërkurën, nesër është e enjte. Kuptohet vetë çfarë mund të sjellë e premtja dhe e shtuna kur kjo shtëpi nuk ka mundësi se ku të marrë borxhe, pasi ka shterruar besimin e atyre që japin borxh për shkak se është e papunë. Rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë është model rritje me punësim “- tha Rama.


Në projektin socialist për të rimëkëmbur Shqipërinë është punësimi, ndryshimi i skemës së ndihmës ekonomike, kjo e fundit të mos jetë më një lëmoshë dhe nxitje e dhunës si dhe taksim i ndershëm.
(sg/shqiptarja.com)