Banorët e Durrësit që preken nga projekti TID, kanë hartuar një deklaratë publike ku shprehin qëndrimin e tyre kundër zbatimit të projektit në afatet e paracaktuara. Sot është afati i fundit që banorët të lirojnë vullnetarisht shtëpitë që ndodhen në dy anët e bulevardit, jo data për nisjen e shembjeve.

Familjet e Durrësit, të prekur nga plani dhe që do të shpronësohen me qëllim rijetëzimin e bulevardit “Edidamn” që lidh Bashkinë e Durrësit me hyrjen e portit dhe të Amfiteatrit, kanë renditur kërkesat e tyre duke kundërshtuar alternativat e dhëna nga bashkia dhe kryeministri. Banorët e Durrësit refuzojnë të pranojnë çmimin e ri të shpronësimit, më i lartë se ai fillestari, të zhvendosen se banesa në periferi të përcaktuara nga qeveria ose të vendosen të gjithë në një goditë të zgjedhur po prej tyre.

Ata kërkojnë “Shtyrje të afateve ligjore të ekzekutimit të projektit; - Pezullim të shembjeve” dhe “Shqyrtim ligjor të plotë të çdo rasti, një e nga një”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë më datë 14 shkurt, banorët e Durrësit u takuan me kryeministrin Edi Rama në bashki, ku në fund të mbledhjes ai tha se do të bëhet rivlerësimi i disa banesave që pretendohet se mbartin vlera kulturore, do të rishikohet problemi i disa shtëpive që nuk disponojnë hipotekë dhe se do të rishikohen referencat e reja sa i përket vlerës së shpronësimit. Rama bëri të qartë se projekti TID do të vijojë dhe banesat e planifikuara për prishje, do të shemben.

Ndërkohë banorët thonë se çmimi referencial që u janë vënë përpara është shumë i ulët ndërsa paralajmërojnë përshkallëzim të protestave. “Komunikimet tona në nivel ndërkombëtar tashmë janë realizuar dhe do të vijojnë, në mbrojtje të të drejtave tona dhe të parimeve të shtetit ligjor. Ne kërkojmë vetëm ligjshmëri dhe respekt për të drejtën tonë të pronës”, thuhet në fund të deklaratës.

Aktualisht qeveria ka parashikuar një total prej 315.5 milionë lekësh për 74 familjet që do të shpronësohen. Projekti TID Durrës do të realizohet nga bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.