Një ngjyrë e errët e ujit është konstatuar në një segment të vijës bregdetare pranë Hidrovorit Hamallaj në Durrës, duke ngritur shqetësim te banorët dhe pushuesit.
Lidhur me këtë rast, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës sqaron se Hidrovori, rreth 1 kilometër nga bregu, ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit, si dhe nuk është konstatuar prani e ujërave të zezë në zonën e evidentuar.
Sipas verifikimeve në terren nga Ujësjellës-Kanalizimet, ngjyrosja e ujit është shkaktuar nga balta, llumrat dhe sedimentet e akumuluara në kanal, të cilat janë trazuar nga baticat, zbaticat dhe dallgët e mëdha.
Ndërkohë, ujërat e ndotura të rezidencave të zonës, sipas këtij institucioni, përcillen për trajtim në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, për të cilin thuhet se funksionon 24 orë në 24.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës bën me dije se po vijon monitorimin e situatës për marrjen e masave të nevojshme për menaxhimin e saj.
Njoftimi për media i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës:
Mbi problematikën e grykëderdhjes së kanalit në Hidrovorin Hamallaj
Në orët e mëngjesit, në zonën e plazhit të Hidrovorit Hamallaj, është konstatuar një ngjyrë e errët e ujit në një segment të vijës bregdetare.
Hidrovori Hamallaj, i pozicionuar rreth 1 km larg vijës bregdetare, gjatë periudhës së verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit.
Nga verifikimet e kryera në terren nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) rezulton se ngjyrosja e errët e ujit është shkaktuar nga baltë, llumra dhe sedimente të akumuluara në kanal, të cilat janë përzier dhe transportuar drejt vijës bregdetare si pasojë e lëvizjes së ujit nga baticat dhe zbaticat.
Gjatë ditëve të fundit, erërat e forta dhe dallgëzimi i shtuar kanë rritur forcën e dallgëve, duke mundësuar depërtimin e ujit në brendësi të kanalit. Si pasojë, sedimentet e akumuluara janë trazuar dhe transportuar drejt detit, duke krijuar një përqendrim të sedimenteve në pezulli, të cilat kanë shkaktuar ngjyrosjen e errët të ujit.
SHRUKD sqaron se nga verifikimet e kryera në terren nuk është konstatuar prani e ujërave të zeza në zonën e evidentuar.
Rezidencat që shtrihen në këtë zonë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve, përmes të cilit ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, ku i nënshtrohen procesit të trajtimit përpara shkarkimit në det.
Theksojmë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz është në funksionim 24 orë në 24, duke garantuar trajtimin e vazhdueshëm të ujërave të ndotura të përcjella në impiant.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës vijon monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme në zonën bregdetare.
-
Jo kjo nuk eshte ashtu sic argumenton ujslelles kanalizimet Duket qarte nga fotoja qe ka ardhur nga ndonje kanal apo lum aty afer
Përgjigju -
Eshte e njejta njolle qe u krijua tek Liqeni Artificial i Tiranes. Faktikisht ne 2024, ne Gusht, ne media u mbajt nje heshtje e plote per katastrofen ekologjike qe po ndodhte ne ujrat e Liqenit. Madje edhe ne Agjencine per mbrojtjen ambientale, qe fatkeqesisht ndodhet prane Liqenit kishin "mbyllur dyert dhe dritaret" per shqetesimet e qytetareve, qe mesa di une isha vetem une dhe disa aktiviste ambientaliste qe e postuan lajmin ne instagram, per aresye te censures dhe heshtjes se medias.per shkak te temperaturave te larta, algat nen efektin nxehtesi, rrezatim, mikrobe kthehen toksike dhe marrin nje ngjyre si ajo qe tregohet ne figure. Fauna ne liqen, mjellmat, rosat, patat, u zhduken per nje periudhe 6 mujore. Ishte per te vene alarmin mjedisor per ate qe po ndodhte, dhe katastrofen ekologjike, sa here qe Travel_ Holiday, publikon plazhet e kristalta te Shqiperise, bukurine dhe mrekulline e tyre, natyrishtdhe investimet e "TUTOREVE STRATEGJIKE"!
Përgjigju









Komente
Komento