DurrësArbër Tivari, 29-vjeç ra në prangat e policisë për vjedhje të bizneseve në Durrës, në një kohë që ishte në masën arrest shtëpie për një aksident me pasojë vdekjen e 2 vajzave në vitin 2022.

Ndërkohë në pranga ka rënë edhe njëri nga bashkëpunëtorët e tij, teksa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër.

Tivari në bashkëpunim me dy të tjerët ka vjedhur në lokalin e një personi, sende të ndryshme me vlerë 3 000 000 lekë të vjetra.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur në lagjen nr.18 më 18 nëntor. Si provë materiale është sekuestruar makina dhe veshjet që këta dy shtetas përdornin kur kryenin vjedhje.

Tivari, 3 vjet më parë u arrestua për aksidentin ku vdiqën Silva Gjergji 26 vjeçe dhe Roxhesa Klironomi 24 vjeçe - pasagjere në makinën që drejtohesh nga Tivari.

Aksidenti i frikshëm ndodhi në orët e para të mëngjesit të 27 nëntorit pasi makina u përplas me barrierat mbrojtëse të autostradës Tiranë-Durrës. Sipas hetimeve, shkak ka qenë shpejtësia marramendëse me të cilën po qarkullonte makina ku ndodheshin tre të rinjtë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Masa”, identifikuan, lokalizuan dhe ndaluan shtetasit:

A. T., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës, i dënuar më parë dhe aktualisht me masë sigurie "Arrest në shtëpi" për një aksident rrugor me pasojë jetën, i ndodhur në vitin 2022.

M. Ç., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 8 Durrës.

Ndalimi i këtyre dy shtetasve u bë pas një pune intensive të ndjekur nga ana e specialistëve të Hetimit të Krimeve, ku ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim edhe me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 18.11.2025, gjatë natës, në lagjen nr. 18 Durrës, në lokalin e shtetasit L. K., kanë vjedhur sende të ndryshme brenda lokalit, me vlerë 3 000 000 lekë të vjetra.

Në vijim të operacionit, u bë e mundur gjetja e automjetit që këta shtetas kishin përdorur për të transportuar sendet e vjedhura, si dhe rrobat që autorët kanë përdorur në vjedhje.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorit të tyre, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Vjedhje e kryer në bashkëpunim" dhe "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.