DURRËS – Katër persona janë vënë në pranga nga policia lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz, ku u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti.  Në pranga u vunë Ergi Kadiu 25-vjeç, Erald Cani 21-vjeç si dhe dy vëllezërit Taulant dhe Emirjan Beqja 37 dhe 34-vjeç, të gjithë të akuzuar për mos kallëzim krimi.

Në kërkim përveç autorit të vrasjes së Paluçit, Daniel Pepa është shpallur edhe 30-vjeçari Gëzim Allci me akuzat e armëmbajtjes pa leje, moskallëzim krimi si edhe përkrahje e autori të krimit.

21-vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe është debatuar me kamarierin dhe me Flori Paluçin, i cili shoqërohej në lokal me disa të tjerë, ndër të cilët edhe Erald Cani i arrestuar për moskallëzim krimi. Pepa debatoi pasi kërkoi kafe ndërsa kamarieri  Alteo Pepa i tha se ekspresi është fikur. Pas konfliktit verbal, Daniel Pepa është larguar me automjet dhe më pas është kthyer bashkë me Ergi Kadiu dhe Aranit Kurtin. Teksa ata kanë tentuar që të hyjnë sërish në lokal, ka dalë Flori Paluçi dhe ka qëlluar me armë zjarri në tokë.

Në këtë moment, Daniel Pepa ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Paluçit duke e plagosur, ndërsa Aranit Kurti e ka qëlluar me grushte në fytyrë. Paluçi, sipas policisë, ka qëlluar ndaj të dyve. Nga plumbat mbetën të vrarë Aranit Kurti që u qëllua nga Paluçi, ndërsa ky i fundit u vra nga Daniel Pepa.

21-vjeçari Pepa është ende në kërkim ndërsa akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Në kërkim është gjithashtu edhe 30-vjeçari Gëzim Allci me të cilin u largua Pepa pasi kreu vrasjen e Paluçit.

Një ditë më parë, kamarieri Alteo Pepa tregoi se Daniel Pepa, me të cilin nuk ka lidhje farefisnie, i kërkoi nje kafe. 

“I thashë që s’ka kafe sepse ekspresi është fikur që në orën 00:00. Ai u acarua dhe nisi të më ofendonte. Në atë moment ndërhyri Flori, që më doli mua në krah. Debatuan me Danielin dhe dolën jashtë për t'u sqaruar…”.

Njoftimi i policise: 

Durrës/Hetimet e thelluara zbardhin dinamikën e konfliktit për motive të dobëta, ndodhur në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, si pasojë e të cilit u vranë me armë zjarri, 2 shtetas.

Arrestohen për moskallëzim të krimit, 4 shtetas të përfshirë në konflikt.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi që dyshohet se është larguar nga vendngjarja, bashkë me shtetasin D. P. (autor i dyshuar i njërës prej vrasjeve).

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të implikuar në konfliktin për motive të dobëta, të ndodhur rreth orës 01:25 të datës 22.10.2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit F. P., 33 vjeç dhe A. K., 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:

-E. C., 25 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, si dhe shtetasit T. B., 37 vjeç dhe E. B., 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim, shtetasit:
-D. P., 21 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi D. P. ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin F. P. (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari E. C.). Pas konfliktit verbal, shtetasi D. P. është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi A. K.. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi F. P., i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi D. P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit F. P., të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve D. P. dhe A. K. (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin F. P.). Si pasojë u vranë shtetasit F. P. dhe A. K..

Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin D. P..

Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit F. P., shtetasin D. P., si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..

Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
Në kërkim për vrasjen e 33-vjeçarit në Manzë, Report Tv siguron foton e të riut

1761220862_danielpepa.jpg

21-vjeçari në kërkim, Daniel Pepa

Report Tv ka siguruar foton e 21-vjeçarit Daniel Pepa, i cili është shpallur në kërkim për vrasjen e 33-vjeçarit Flori Paluçi në Manzë.

Pepa vrau Paluçin pas një sherri në një lokal për një kafe, pasi kamerieri iu tha se ekspresi është i fikur dhe nuk mund t’ua shërbente.