DURRËS - Një burrë ka humbur jetën ditën e sotme në qytetin e Durrësit pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. 

Sipas dyshimeve fillestare, 43-vjeçari Bardhyl Kaloshi ka qenë duke kaluar rrugën dhe është mbajtur me të dyja duart në shtyllën e ndriçimit të rrugës. Nga këqyrja në vendngjarje, dyshimet e para lidhen me faktin që në shtyllën e ndriçimit, në brendësi të saj, mund të ketë kabëll të zhveshur, që mund të jetë prekur nga Bardhyl Kaloshi, duke i marrë jetën menjëherë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr.6, pranë stadiumit të futbollit në Durrës, ndërkohë që kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

"Rreth orës 07:15, në lagjen nr. 6, Durrës, shtetasi B. K., 43  vjeç, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka humbur jetën",- njofton policia.

Kujtojmë se më 9 shtator një ngjarje e ngjashme ndodhi në Lezhë, ku një 16-vjeçare humbi jetën pasi ra në kontakt me kabllo eletrike të zhveshura teksa po ecte për në shtëpi.