TIRANE- Vizita e Kryeministrit shqiptar në Turqi javën e shkuar shkaktoi shumë trazira sa humoristike aq edhe shqetësuese, për shkak të deklaratave disi të rrëmbyera mbi lidhjen gjakësore mes shqiptarëve e turqve. Sidoqoftë, debati mbi fjalët e kryeministrit do ishte sipërfaqësor nëse do mbetej vetëm tek analiza e lidhjes biologjike, reale apo virtuale, mes dy kombeve që padyshim kanë ndarë shumë histori, kulturë e vlera në pesë shekujt e fundit, dhe kjo është sa e vërtetë aq edhe e pamohueshme. Ajo ç’ka duhet të na shqetësojë gjithësesi është potenciali i një lëvizjeje të beftë gjeo-politike që mund të diktohet në fjalët e kryeministrit teksa flet për marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Turqisë në të ardhmen e afërt.

Midis të tjerash, kryeministri tha se “Turqia është një aleat strategjik i Shqipërisë”, dhe se “Shqipëria do të mbështeste kandidaturën e Turqisë”, për t’u bërë anëtare e organit drejtues të Kombeve të Bashkuara, pra Këshillit të Sigurimit, reformimi i të cilit është bërë tanimë një debat ndërkombëtar. Për të dhënë pak më tepër informacion e sfond mbi debatin, duhet përmendur që mes ‘pretendentëve’ që aspirojnë t’i shtohen Këshillit të Sigurimit qëndrojnë Gjermania, India, Brazili, e Japonia, teksa Turqia vetëm së fundmi ka ngritur tezën për një kandidim të mundshëm, që sidoqoftë është tejet i vështirë për t’u kthyer në realitet. Se mbi çfarë bazash e çfarë këshillash ka vendosur kryeministri që të mbështesë kandidaturën turke për Këshillin e Sigurimit, përkarshi asaj të Gjermanisë, për shembull, mbetet akoma mister, paçka se një pozicionim i tillë i Shqipërisë nuk kalon pa u vënë re nga vendet e BE-së.

Mjafton të përmendim vitin 2005, kur qeveria Nano deklaroi mbështetje për kandidaturën e Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit, dhe kjo shkaktoi reagimin e menjëhershëm nervoz të Italisë, po ashtu një aspirante e këtij pozicioni. Në rastin e një mbështetjeje zyrtare për kandidaturën e Turqisë, një vendim i tillë sigurisht që nuk do duhej të merrej ekskluzivisht nga qeveria, por do duhej të diskutohej gjerësisht brenda vendit në shumë nivele, e veçanërisht në Parlament, meqë ky i fundit është (më saktë, duhet të jetë) përfaqësuesi themeltar i vullnetit të sovranit. Ndërkaq, elita polito-ekonomike turke ka kohë që punon për krijimin e një të ardhmjeje alternative për vendin, duke qenë se ndjesia e turqve është se çfarëdo që të bëjë Turqia, BE nuk ka për t’i pranuar kurrë si anëtarë të unionit, duke qënë se është vend musliman. Në këtë kuadër, e inspiruar nga nacionalizmi turk i viteve 20-të, Ankaraja prej vitesh po shërben si drejtuese faktike e lëvizjes pan-turkike, që përfshin gjithë sferën e influencës politike, ekonomike e kulturore të vendeve turqisht-folëse si Kazakistani, Azerbajxhani, Turkmenistani, Uzbekistani dhe Kirgizstani, duke aspiruar krijimin e një hapësire politiko-ekonomiko-sociale në qendër të së cilës qëndron pikërisht Turqia. Po Shqipëria ku qëndron në këtë skenar? Përtej faktit që kemi qënë të pushtuar prej osmanëve për 500 vjet (ashtu si gjithë Ballkani), dhe të investimeve të shumta turke në Shqipëri (partneri ynë kryesor në tregti e investime sidoqoftë mbetet BE-ja), dhe faktit që Gümu dhe Ezel janë telenovelat më të para në vend (dikur ishin Paloma dhe Kloni), të pretendosh për një lidhje simbiotike gjeopolitike mes Shqipërisë dhe Turqisë është tejet problematike/joreale, veçanërisht kur konsiderojmë aspiratat 20 vjeçare të vendit për t’u bërë pjesë e BE-së. Prandaj edhe deklaratat e kryeministrit ngrenë shumë pikëpyetje, përgjigjet e të cilave do ishte mirë t’i kishim! A mos vallë kryeministri po flirton me Lindjen (kinezçe në shkolla, partneritet strategjik me Azerbajxhanin, aleancë gjaku me Turqinë) duke parë refuzimin e vitpasvitshëm të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat? A është ky një devijim i papritur nga kursi europian i vendit, në kuadrin e dështimit të vazhdueshëm në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit? A mos vallë pas konsultimeve të Berishës me homologun Viktor Orbán Shqipëria do të kthehet në një mikro-Hungari duke sfiduar ‘urdhëresat’ e Brukselit? Mbase po, mbase jo, por për terezinë e vatanit, do ishte mirë që të mos bënim duvanë e dushmanit!
( ne foto kryeministri Berisha ne takim me kryeministrin turk Erdogan)
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg./shqiptarja.com)