DW: Komuneti rom butafori gjatë fushatës zgjedhore

DW: Komuneti rom butafori gjatë fushatës zgjedhore

Zonja nga komuniteti rom

Zyrtarisht në Shqipëri jetojnë rreth 20 mijë anëtarë të komunitetit Rom. Në prag fushatash zgjedhore, vendbanimet e tyre kthehen në zona ku premtohet shumë por s'bëhet thuajse asgjë. Aty gjen edhe "tregun e shitblerjes së votës”. A është ky një tjetër diskriminim ndaj këtij komuniteti apo realiteti me të cilin përballen romët në Shqipëri?

Fushatat zgjedhore – "shpreh një dëshirë!”

Jashtë mureve të oborrit të një shtëpie njëkatëshe në Yzberisht të Tiranës janë renditur qese të stërmëdha me bidonë plastikë. Ato janë buka e përditshme e familjes 12-anëtarëshe nga komuniteti rom. Suzana Shaqiri ka mbetur kryefamiljare pas vdekjes së bashkëshortit. Ajo ka shumë probleme shëndetësore e financiare, por më në fund duket se kjo shtëpi me qira i ka falur pak lumturi, pas shumë vitesh që ka jetuar duke u endur në zona të ndryshme të Shqipërisë e Tiranës. Dëshira e saj më e madhe është të pasurit e një banese, prej së cilës s'mund ta largojë më askush. Do të hedhë rrënjët diku.

Suzana Shaqiri

Por duket se të vetmet momente kur dikush dëgjon dëshirat e saj janë fushatat zgjedhore. Politikanë që ikin e vijnë sa herë kërkojnë votën, shpesh, edhe duke ofruar pará në këmbim të saj. "Na vijnë politikanët. Na gënjejnë me një thes miell, me një qese me ushqime. Unë s'kam nevojë për ushqime. Më mirë dal e lyp. Kanë thënë ‘t'ua blejmë votat' por ne nuk duam t'i shesim votat. Ne kemi nevojë për strehim. Ja do t'i ha ato 40 mijë lekë, 50 mijë, ja 200 mijë lekë… Prapë në rrugë të madhe do të përfundoj”.

Disa metra më tutje një vilë dykatëshe qëndron hijerëndë në mesin e barakave. Shtëpia e familjes Zeqiri është mbase më luksozja e kësaj zone, e megjithatë anëtarët e saj përballen me një tjetër shqetësim. Mustafa Zeqiri ka jetuar prej rreth 40 vitesh këtu dhe djemtë e tij ndërtuan shtëpinë, për të cilën kanë 15 vite që bëjnë kërkesa legalizimi.

Mustafa Zeqiri

Duke treguar me gisht të gjitha shtëpitë përreth, tashmë të legalizuara, ai ndihet i diskriminuar. "Nuk po na bëhet legalizimi i kësaj shtëpie, sepse thonë që ju kap rruga. Shihe sa larg jemi ne nga rruga. Prandaj ne e quajme veten të diskriminuar. Në fushata zgjedhore  vijnë nga të gjitha anët. Si nga e majta, edhe nga e djathta. Çfarë na premtojnë? Ata na thonë "për kë do votoni”.

 Asnjë përfaqësues në Parlament

Romina Sefa e nisi rrugëtimin e saj si aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom dhe egjiptian shtatë vite më parë. Sot ajo drejton Qendrën për Advokim Social, shoqatë e cila trajton problemet e kahershme të strehimit, shkollimit e punësimit për këto pakica. Romina është diplomuar për sociologji në Universitetin e Tiranës, shkollim i cili tanimë u vjen në ndihmë anëtarëve të tjerë të komunitetit rom. 

Romina Sefa

"Shpeshherë ne paragjykohemi sepse një pjese e shoqërisë na shikon si persona që kemi ngelur po në të njëjtin vend dhe nuk kemi pasur ndonjë ndryshim. Ndryshime mund të ketë pasur pjesa e të rinjve që i përkasin këtij komuniteti, që mund të kenë arritur të arsimohen e të kenë mbaruar shkollën e lartë por përsa i përket pjesës tjetër të komunitetit, të cilët janë familjet e varfra ata vijojnë akoma të hasin sfida dhe paragjykime nga pjesa tjetër e shoqërisë por dhe institucioneve pasi nuk marrin shërbimet sociale ashtu siç dhe ligji garanton' – shprehet Romina për Deutsche Welle. 

Nga puna e përditshme në terren dhe nga hallet e panumërta që dëgjon, Romina mendon se ka ardhur koha që Romët të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlament, i cili duhet të gëzojë mbështetjen e të gjithë komunitetit. "Ajo që vihet re është prirja që kanë disa individë për t'u përfaqësuar nëpërmjet partive politike dhe këtu flas për individë që i përkasin komunitetit rom. Për ne është shumë e rëndësishme qasja që ndiqet për të shkuar qoftë në Parlament apo Këshillat Bashkiakë. Për ne ka shumë rëndësi që të jesh llogaridhënës kundrejt njerëzve”.

Historia e Suzanës, Mustafait e qindra të tjerëve, janë sipas Rominës vetëm një pjesë e mozaikut të sfidave që përballet ky komunitet. Ajo ka një apel për të gjitha partitë politike në vend: "Ka shumë rëndësi që partitë politike mos t'i qasen këtyre minoriteteve vetëm në momentin e proceseve zgjedhore dhe të kërkojnë nëpërmjet rryshfeteve t'u blejnë votën. Por t'i trajtojnë si qytetarë shqiptarë me dinjitet e respekt dhe pse jo një pjesë e problematikave të tyre të reflektohen me seriozitet dhe të ndiqen edhe pas situatave zgjedhore”./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë