TIRANË -  Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa ka reaguar dy ditë pas përleshjeve mes bandave të ndodhura në Rrugën e Kavajës, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën 4 të tjerë kryepolici i Tiranës moihoi që dy ngjarjet të kenë lidhje me njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për atentatin te Rruga e Kavajës ku humbi jetën Arianit Sterjo, të cilin po e shikoni në foton e siguruar nga A1 Report dhe u plagosën Pajtim Serjani e Roland Meta si dhe për atentatin në Qafë Kashar ndaj Emiljano Shullazit.

Lidhur me arrestimin e efektitit të Policisë Roland Meta, Çipa u shpreh se kanë ndryshuar rrethanat e arrestimi, nga flagrancë, në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme.

Grupi hetimor ka mbledhur të gjitha armët dhe gëzhojave të gjetura në të dyja skenat e krimit, për t’u ekzaminuar në laboratorin e kriminalistikës. 48 orë pas shkëmbimeve të zjarrit në rrugën e Kavajës dhe në Qaf Kashar në Rinas, ende mbetet mister se kush qëlloi mbi Shullazin dhe Danin, ndërkohë që deri tani janë shoqëruar në polici 32 persona për zbardhjen e dy ngjarjeve. Deklarata e plotë e Ardian Çipës

Çipa: Sterio qëlloi për të vrarë, efektivi Meta i tha ndal policia
Sipas rreth orës 19:45 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri pranë rrugës së Kavajës në hyrje të rrugës Islam Alla. Nga rrethimi i vendngjarjes u gjend i vrarë Arianit Sterio.

Më pas u mësua se Pajtim Serjani, ishte shtruar në spital publik i plagosur, ndërsa efektivi i policisë po i plagosur ishte shtruar në një spital privat.

Në lidhje me ngjarjen e parë Çipa jep dinamikën e ngjarjes sipas të cilit,  Arianit Sterio ka qëlluar me armë ndaj Pajtim Serjanit i cili ndodhje i shoqëruar nga efektivi i policisë Roland Meta, dhe me Denis Ramani,  e Ditmir Reçin.
 
Pas këtij momenti efektivi Roland Meta është vënë në ndjekje të tij duke i  thënë edhe ndal policia. Gjatë ndjekjes autori Arianit Sterio ka qëlluar me armë ndaj efektivit dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur dhe u plagos rëndë polici Roland Meta, i cili tashmë është nën arrest për kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme.
 
Çipa: Atentati ndaj Shullazit, u njoftuam rreth 1 orë me vonesë
Drejtori i Policisë së kryeqytetit, Ardian Çipa bëri të ditur se blutë e kryeqytetit janë njoftuar rreth orës 20:30 për të shtëna me armë zjarri në askin Rinas- Kashar, por pas hetimeve ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 ku mjeti tip Golf me targa AA 629 HR është qëlluar me armë deri sa ka dalë nga rruga.

Gjithashtu Çipa bën me dije se pasi policia ka mbërritur në vendngjarje është njoftuar se në spital kanë mbërritur të plagosur Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të cilët ishin duke udhëtuar nga Fushë Kruja  drejt Tiranës.

Në vendngjarje Çipa bën me dije se janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një kreher pistolete dhe një kreher automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore.

Armët në laboratorin balistik, Prokuroria: Gëzhojat të ekzaminohen
2 pistoletat e sekuestruara pas atentatit në rrugën e kavajës ku humbi jetën arian sterio si dhe 30 gëzhojat e sekuestruara si provë material në atentatin ku mbeti i plagosur Emiliano Shullazi e shoku i tij Gilmando Dani do t'i nënshtrohen ekzaminimin balistik në laboratorin e kriminalsitikës.

Ky fakt konfirmohet për A1Report nga grupi hetimorë i cili pasi është njohur me referimin e Policisë së Tiranës ka kërkuar kryerjen e këtyre ekzaminimeve për të parë nëse këto armë apo gëzhojat e sekuestruara janë përdorur në krime të mëparshme.

Një ditë më parë policia e Tiranës do të njoftonte se në atentatin e rrugës së Kavajës sekuestroi si prova material 4 - copë gëzhoja armë zjarri të kalibrit 9 mm, 3 - copë gëzhoja armë zjarri të kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri pistoletë m-54, një armë zjarri Bereta.

Po ashtu pjesë e ekzaminimeve do të jenë dhe gëzhojat e sekuestruar në aksin Rinas-Tiranë aty ku u shënua dhe atentati ndaj Shullazit.

Përgjigja e cila pritet nga laboratori Kriminalistik, sipas hetuesve do ti shërbej atyre për zbardhjen e atentatit dhe dinamikës së kryerjes së tyre.

48 orë pas shkëmbimeve të zjarrit në rrugën e Kavajës dhe në Qaf Kashar në Rinas, ende mbetet mister se kush qëlloi mbi Shullazin dhe Danin, ndërsa në dëshminë e tyre ata mësohet të kenë thënë se teksa ktheheshin nga Fushë Kruja kanë rënë në zjarrin e dy mjeteve që i kishin zënë prit.

Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Ardian Çipa
Policia e Tiranës është angazhuar në mënyrë intensive për zbardhjen e dy ngjarjeve të ndodhura mbrëmjen e së martës në kryeqytet.

Bëjmë edhe një herë me dije publikun se në datë 05.01.2015 rreth orës 19.45, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë për të shtëna me armë zjarri në Rrugën e Kavajës në hyrje të rrugës “Islam Alla”. 

Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë patrulla e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë dhe shërbimet e Patrullave të Përgjithshme të Repartit Shqiponja. Në vendngjarje janë konstatuar dhe fiksuar në cilësinë e provës materiale një sërë gëzhojash të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu është sekuestruar edhe një pistoletë tip “Bereta”.

Nga rrethimi i vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, në rrugën “Him Kolli”, në një distancë rreth 1 km është gjetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio (Alias), 42 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet paraprake është marrë informacion se në spitalin ushtarak ka shkuar i plagosur shtetasi Pajtim Xhevahir Serjani, 32 vjeç, ndërsa në një spital privat në Tiranë ka shkuar i plagosur me armë zjarri punonjësi i policisë Roland Meta.

 Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është arritur të saktësohet se rreth orës 19.40, viktima, shtetasi Arjanit Alias ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit Pajtim Serjani, Roland Meta dhe dy shtetas të tjerë. Pasi ka plagosur me armë shtetasin Serjani, punonjësi i policisë ka reaguar duke i bërë thirrje: Ndal Policia. Në këtë moment vrasësi ka reaguar duke plagosur punonjësin e policisë, i cili edhe në këto kushte i është përgjigjur me shkëmbim zjarri, duke e plagosur rëndë. Shtetasi Arjanit Alias është përpjekur të largohet dhe rreth 1 km më larg ka mbetur i vdekur.

Grupi hetimor nën kryesimin e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Roland Meta për veprën penale “Vrasje, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Sqarojmë se punonjësi i policisë Roland Meta është pranuar në Policinë e Shtetit në vitin 2005, ndërsa në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale është emëruar në dhjetor të vitit 2007, detyrë që e mban edhe sot.

Nga ana tjeter, po në datë 05.01.2015, rreth orës 20:30 është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë së në aksin rrugor Rinas - Kashar ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku për pasojë një mjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar jashtë rrugës.

Menjëherë është krijuar grupoi hetimor i kryesuar nga prokurori i prokurorisë së rrethit Tiranë, i cili ka shkuar në vendngjarje dhe ka filluar veprimet hetimore. menjëherë pas njoftimit për shkëmbimin e zjarrit policia është sinjalizuar se në spitalin ushtarak është paraqitur i plagosur me armë zjarri shtetasi Emiljano Shullazi, 36 vjeç, i shoqëruar nga shtetasi Gilmando Dani, vjeç 36, i cili ishte i dëmtuar në kokë nga dalja jashtë rruge e mjetit.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas me automjetin tip “Ëosklsvagen Golf”, me targa “AA 629 HR” kanë qenë duke u kthyer nga Fushë Kruja në drejtim të Tiranës dhe sipas të dhënave paraprake rreth orës 19:30 janë qëlluar me breshëri armësh zjarri nga një mjet tjetër dhe për pasojë kanë humbur kontrollin e mjetit dhe kanë dalë nga rruga. 

 
Në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një kreher pistolete dhe një kreher automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore.

Nga hetimet paraprake rezultion se të dyja ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Policia ka ngritur grupe hetimore të drejtuara nga prokurori duke filluar që me veprimet e para në vendngjarje e çdo veprim tjetër, që po bëhet për mbledhjen e provave dhe fakteve për zbardhjen e plotë dhe vënien e autoreve para përgjegjësisë penale. Deri tani, për zbardhjen e rrethanave të të dy ngjarjeve, motiveve dhe autorëve të tyre janë shoqëruar në polici 32 shtetas.

Materialet janë referuar në prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë dhe po vazhdojnë hetimet nën drejtimin e prokurorisë, për veprën penale të “Vrasje e kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim, e ngelur në tentativë”.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)