KAKAVIJE-KAPSHTICE Dy ditë para kremtimit të festës së Pashkës, është shtuar fluksin fluksin e udhëtarëve në dy pikat kufitare me Greqinë. Të dhënat zyrtare nga policia kufitare në Kakavijë dhe Kapshticë flasin për një numër të madh emigrantësh që kthehen në atdhe, por në rritje është edhe numri i qytetarëve shqiptarë që kanë zgjedhur të kalojnë këtë festë pranë të afërmve të tyre, emigrantë në Greqi.

Në 24 orët e fundit në doganën e Kakavijës kanë hyrë rreth 6054 emigrantë shqiptarë, ndërsa nga toka shqiptare kanë kaluar kufirin për në Greqi 3657 shtetas. Për të përballuar fluksin në rritje policia shqiptare punon me 5 sportele në hyrje dhe tre në dalje, ndërsa polica greke punon me 3 sportele.

Ndërkaq në doganën e Kapshticës në 24 orët e fundit kanë hyrë në tokën shqiptare 5858 shtetas, ndërsa kanë dale nga territori shqiptar 2125 shtetas. Pala shqiptare në këtë pikë kufitare punon me 6 sportele në dalje dhe 3 sportele në hyrje të vendit ndërsa pala greke punon me 3 sportele.
(jd/shqiptarja.com)