TIRANË- Kanë zgjatur 12 orë diskutimet për pr/buxhetin 2025 sot (18 nëntor, ora 10:00 - 22:00 ) në Kuvend, të cilat pritet të vijojnë nesër për të përfunduar me votim.
Kryeministri Edi Rama duke prezantuar pr/buxhetin njoftoi se 100 milionë euro do të ndahen për bonusin e fundvitit që do të përfitohet nga 511 mijë persona. Kryeministri zbuloi me detaje planin për shpërblimin që do të marrin pensionistët këtë fundvit, më të lartin e dhënë ndonjëherë, që e cilësoi rezultat i rritjes ekonomike të vendit.
Kush ka pension deri në 20 mijë lekë do të marri trefishin e bonusit të deri djeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 eurosh. Kush ka pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dy fishin, bonus në masën 100 euro"
Por protesta e opozitës, duke bërë zhurmë dhe rënë tavolinës në përpjekje për t’i ndërprerë fjalën, bëri që kreu i qeverisë të kërkonte 5 minuta pushim. Dalja sërish në foltore, shërbeu për dhënë lajmin se pensionistët do marrin edhe bonus çdo fillim pranvere.
Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundvit nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, ku përveç 400 mijë e 500 gjysheve e gjyshërve, përfshihen edhe 65 mijë e 800 invalidë pune dhe 44 mijë e 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetimë. rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë. në ditët e para dhjetorit, ne po ashtu do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë. Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë, edhe të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës.
Diferencën tha ai, pensionistët mund ta bëjnë vetë, duke u kujtuar se sa merrnin para 2014-ës.
Po kur na thonë “Sudet” dhe “Rrapushët” e asaj kohe, ju erdhi jehona dhe këtu sot: “ç’është ky pension kaq i ulët social”? Pikërisht këta! Tamam këta. Varrmihësit anti shtet të pensioneve ngrenë gishtin e akuzës ndaj nesh për nivelin e pensionit social kur në fakt me dorën e tyre i kishin përjashtuar nga çdo e drejtë për pension të gjithë atë kategori njerëzish që marrin pensionin social të cilëve pensioni social iu njoh qysh nga 2014 dhe përpara 2014 shteti nuk u jepte një kokërr leku, zero, nuk figuronin!
Kundërshtarëve politikë, të vjetërve në parlament, e të rinjve ende jashtë tij, u kërkoi që pensionistëve të mos i tregojnë përalla me pensione të larta.
Çdokush që rreket t’i tundojë sot pensionistët me përrallat e Sudes dhe Rrapushit për t’i ngjitur pensionet në majën e dëshiruar me shpejtësinë e qilimit fluturues pavarësisht nëse e ka fytyrën komplet të zezë nga bloza e diskreditimit publik apo e ka të bardhe ngaqë s’ka shkelur një ditë akoma në kantierin e shtet ndërtimit, është vetëm një prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi mbrapa në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet' tha Rama.
Në buxhetin e 12-të në pushtet, për herë të parë, qeveria nuk prek sistemin tatimor, 2025-a nuk do të ketë asnjë ndryshim të taksave.
"Jemi zotuar deri në fund të mandatit tonë të katërt që nuk do të ketë asnjë ndryshim në taksimin e biznesit të vogël dhe as nuk ka vitit e ardhshëm, as nuk do të ketë mandatin e ardhshëm"
Për bujqësinë Rama tha se do të vihen në dispozicion '146 milion euro.
146 milion euro për bujqësinë krahasuar e dini me sa, a e dini me sa, apo jo? Me 35 milion euro kur ishin këta, pesëfishi!
Megjithatë, me demokratët që i kishte përballë në tre palë zgjedhje, retorikën e kishte më të fortë e të ashpër.
“Mblidheni mendjen se keq dolët këtë herë, më keq do të dilni herën tjetër, por pranverën e ardhshme do të japim me vendimin e tyre një gjykim që do të jetë më i miri historik për Partinë Socialiste dhe më i merituar historik për këto mbeturina të një kohe që nuk kthehet më kurrë” tha Rama.
Pasi bëri prezantimin Rama u largua nga salla duke lënë deputetët e PD-së të vijojnë debatin me ministrin e Financave Petrit Malaj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, në fjalën e tij në parlament tha se buxheti nuk është për qytetarët, por për pesë individë.
“Me pensionistët mendon se do t’i mashtrojë duke ndarë një buxhet minimal. Bonusin e fundvitit e japin të gjithë vendet e rajonit dhe vendet evropiane në shenjë solidariteti, çdo vit. Ndërsa zotëria e bën njëherë në katër vite...Buxheti është për 5 individë. Derdhe ujë në mënyrë të pakontrolluar dhe ike. Mendon se duke fyer opozitën, ne do biem në kurthin tënd dhe nuk do merremi me buxhetin, por ne do të merremi me buxhetin. Buxheti është dëshmi e korrupsionit galopant’, tha ai.
Filozofia e kësaj qeverie është merrja të voglit për t’ja falur të madhit, oligarkë, tha deputetja e PD-së, Tabaku.
Në seancë nuk kanë munguar as tensionet. Teksa ishte duke folur ministri i Financave, Petrit Malaj drejt foltores shkuan deputetët e PD-së, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati të cilët nuk po e lejonin që të fliste. Në këtë moment ka ndërhyr edhe garda, e cila rrethoi foltoren ku po fliste ministri Malaj.
Diskutimet vijuan ndërsa në një situatë të pazakontë në Kuvend, opozita vendosi flamurin serb gjatë seancës plenare, gjë që shkaktoi reagimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili gjatë fjalës së tij i kërkoi opozitës që ta hiqnin.
Ndërsa Berisha nga 'arresti shtëpiak' bëri thirrje për protestë nesër kur dhe pritet të jetë votimi i pr/buxhetit.
Pr/buxheti
Ky buxhet i cili vazhdon tendencën rritëse nga viti në vit, është më i madhi ndonjëherë, do të përdoret kryesisht për vijimin e reformave, dhe financimin e kantiereve të hapura aktualisht. Nuk parashikohet rritje pagash dhe nuk ka fond të paracaktuar për rritje pensionesh gjatë vitit 2025.
‘Portofoli’ i shtetit për vitin 2025, është 8.2 miliardë euro. Nuk parashikohet rritje pagash dhe nuk ka fond të paracaktuar për rritje pensionesh gjatë vitit 2025.
Në tërësi, ky buxhet nuk karakterizohet nga shtimi i financimit për mbrojtjen sociale apo ndihmesën e shtresave në nevojë. Por paketa garanton vijimin e përfitimeve të deritanishme për kategoritë më të varfër. Sa u takon investimeve, buxheti 2025 ju dedikohet më shumë projekteve që janë në ndërtim e sipër, si Rruga Tiranë-Durrës, Elbasan-Qafë Thanë, apo Ndroq Plepa. Do të financohen koncesionet që janë aktive dhe do të përballohet borxhi publik.
Diskutimet u mbyllën në orën 22:00 për të vijuar nesër ora 10:00 dhe për tu mbyllur duke u hedhur në votim në parim në fund të ditës së martë, fashë në të cilën, opozita ka thirrur një protestë përpara Parlamentit. Sali Berisha ju ka kërkuar mbështetësve të pengojnë miratimin e këtij akti, që e quan “buxheti i vjedhjeve”.
Shënim: Në zhvillimet më poshtë gjeni disktutimet në seancën e sotme në Kuvend
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sonte në Kuvend se “buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 2025, është ndërtuar posaçërisht për të mbështetur më shumë se kurrë më parë qytetarin, familjen, gruan dhe fëmijën”.
Në fjalën e mbajtur në seancën plenare, Koçiu tha se “ky është një buxhet që rrit mbulimin universal, mbështet kurimin dhe parandalimin pranë shtëpisë, e që gjithashtu mbështet luftën kundër varfërisë, përjashtimit social apo papunësinë".
Ajo theksoi se buxheti 2025 për MSHMS-në mbështet nënat me shumë fëmijë, fëmijët jetimë, viktimat e dhunës, personat me aftësi ndryshe, invalidët e punës, ish-të përndjekurit, të moshuarit, familjet e reja, si dhe të gjithë qytetarët, pa dallim midis tyre.
“Është më i larti ndonjëherë për MSHMS në historinë e shtetit shqiptar. Rreth 3-fish më i lartë buxheti i shëndetësisë në një dekadë dhe pothuajse 3 herë më i lartë buxheti ynë i ombrellës sociale. Ai i 2025-s është gjithashtu buxheti i paketës më të madhe të investimeve në sektorin e shëndetësisë si dhe buxheti që mbështet zgjerimin e mëtejshëm të reformës së Autonomisë Spitalore. Me buxhetin 2025, për herë të parë do të jemi në gjendje që të financojmë 100% dhe pa kosto programe të reja, si programi i fertilitetit për çiftet e reja”, theksoi ajo.
Koçi tha se do të forcojnë programet e depistimit dhe parandalimit, në dobi veçanërisht të gruas dhe fëmijëve si dhe do të garantojnë rritjen e mëtejshme të pagave dhe përfitimeve për punonjësit e sistemit shëndetësor.
“Buxheti 2025 është parashikuar të jetë në 103 miliardë Lekë ose rreth 1 miliardë e 50 milionë euro. Tejkalimi i barrierës së 1 miliardë euro është një arritje e paimagjinueshme nëse kthehemi disa vite më parë. Është fakt se e kemi nisur transformimin e realizuar 10 vjet më parë me një buxhet prej 300 milionë eurosh. Ndërsa krahasuar me buxhetin e vitit që po mbyllim, buxheti i ri është 5% më i lartë”, nënvizoi ministrja.
Duke u ndalur te shërbimi parësor, Koçiu evidentoi se do të rrisin mbështetjen për shërbimet parandaluese dhe të diagnostikimit të hershëm të sëmundjeve si dhe realizimin e mëse 7.6 milionë vizitave të parashikuara në sistemin parësor.
Koçiu deklaroi se “fishat e diabetit do të vijojnë të rimbursohen për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç, PAK dhe invalidët e punës. Do të vijojmë të financojmë kontrollin bazë për grupmoshën 35-70 vjeç si dhe do të mbështesim rimbursimin e barnave për rreth 400 mijë qytetarë, me një vlerë totale prej pothuajse 130 milionë eurosh. Krahasuar me vitin e mëparshëm, edhe në këtë drejtim rritja është prej 5%”.
Sa i përket shërbimit të kujdesit dytësor, ministrja Koçiu theksoi se buxheti i ri do të mbështesë mbi 317 mijë pacientë që pritet të marrin trajtim në 5 spitalet terciale, 12 spitalet rajonale dhe 27 spitalet bashkiake.
“Do të vijojmë të mbështesim trajtimin me dializë të 1.500 qytetarëve që kanë nevojë për këtë trajtim jetëshpëtues. Vijojmë të financojmë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë me 10 mijë përfitues në QSUNT, në Shefqet Ndroqi dhe 2 Spitale Rajonale. Do të mbështesim zgjerimin e transplantit të veshkave, paketën e kataraktës, radioterapinë dhe shumë shërbime të tjera. Si dhe për herë të parë këtë vit do të mbështesim gratë që luftojnë betejën me kancerin e gjirit për rikonstruksionin e gjirit dhe mbështetjen e tyre me peruke”, vijoi ajo.
Më tej, ministrja Koçiu theksoi se në fushën e Mbrojtjes Sociale janë dedikuar pothuajse 300 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Për vitin 2025 mbështesim, 62 mijë familje me skemën e Ndihmës Ekonomike, 91 mijë persona me AK, kujdestarë e invalid pune me skemën e Aftësisë së Kufizuar, bonusin e bebes me një vlerë financimi prej 2.3 miliard lekësh si dhe mbështetje për gratë kryefamiljare me 3 fëmijë me vlerë financimi 800 milion lekësh”, tha ajo.
Një ndër pikat kyçe të këtij buxheti janë investimet në përmirësimin e infrastrukturës dhe në modernizimin e mëtejshëm të shëndetësisë. Ministrja Koçiu tha se “kantiere që hapen për herë të parë në vitin 2025 janë, ndërtimi i godinës së re multifunksionale të Spitalit Rajonal Korçë, rikonstruksion i godinës së Djegie-Plastikës në QSUNT, i Maternitetit të Spitalit Fier, i Maternitetit Spitali Shkodër si dhe rikosntruksioni i disa pavioneve në spitalet e vendit”.
”Buxheti 2025 mbështet transformimin e mëtejshëm të shëndetësisë shqiptare, përmes fuqizimit të mjekut, infermierit, rritjes së mbulimit universal dhe modernizimit të mëtejshëm të spitaleve dhe qendrave tona shëndetësore”, përfundoi Koçiu.
Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka ironizuar bonusin e fundvitit për pensionistët duke thënë se ky është ‘donacioni’ për gjelin e detit dhe ai i pranverë s’do jetë për ballokumet. Nga Foltorja e Kuvendit, Shehi paraqiti edhe njëherë propozimin e tij për rritjen e pensioneve duke thënë se s’ka nevojë për reformë të re.
Shehi propozon se duhen 300 mln euro për të subvencionuar të gjitha pensionet nga 200 mijë lekë e poshtë.
"Tani që buxheti i 2025 është më i madh dhe më i rritur dhe jemi krenar për këtë punë, unë ju propozoj këtë që e thash dhe herën tjetër dhe do e them çdo ditë, sidomos pas asaj që dëgjova nga Rama që do bëjë një ‘donacion’, pastaj do bëjnë edhe një të pranverës, ai s’do jetë i ballokumeve, ky është i gjelit të detit. Unë them që tej kësaj pune, hajde të bëjmë një shportë të madhe, por që është e domosdoshme dhe e vetmja mënyrë, rreth 300 mln për të subvencionuar të gjitha pensionet nga 200 mijë lekë e poshtë. Nuk bëhet në atë mënyrë si tha ai. Kjo është sakrificë për këtë buxhet, por nuk është aq e tmerrshme. Hiqi 10% nga investimet publike dhe po e them me qetësinë më të madhe se para një jave diskutuam buxhetin faktik të 2023. Mungonin 160 mln që nuk ishin investuar. Ia marrim nga ky buxhet, mjafton të bëhen ca tenderë më mirë, 55 mln i ka parashikuar vetë qeveria për indeksim dhe bonus. 90 mln i marrim borxh në treg të brendshëm dhe ja ku u bë një shportë që do mbushë pensionet e vogla. Vit për vit rritet buxheti, kjo shportë do balancojë veten. S’ka nevojë për skema të reja pensionesh, e aprovuam para 10 vitesh, mirë apo keq po funksionon. Nuk nxjerr gjë skema, fare. Hajde të bëjmë një shportë subvencioni të madhe", tha Shehi.
Deputeti socialist Erion Braçe i është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me buxhetin 2025 dhe bonusin për pensionistët. Braçe hodhi poshtë, siç ai i cilësoi ai gënjeshtrat e opozitës, duke thënë se nuk ka bonus për zgjedhje, por qeveria u ka dhënë bonus pensionistëve çdo vit. Braçe tha se po punohet për skemën të re për pensionet dhe do ketë dy bonuse për pensionistët në dhjetor dhe në pranverë.
Madje halucinacione i quan propozimet e opozitës për pension miminal sa në Malin e Zi, duke thënë se “kjo është të kalosh ylberin dhe ju e dini si quhet ai që kalon ylberin, pyetini se i keni aty në radhë”.
Braçe u ndal edhe tek çmimet e imputeve bujqësore, ndërsa tha se kontrollohen nga një oligark i PD.
"Gënjeshtra e dytë bonusin e bëni për zgjedhje dhe siç u provua bie në tokë, se çdo vit me zgjedhje apo pa zgjedhje pensionistët kanë marrë bonus. Gënjeshtar e tretë vjedhja e parave nga indeksimi që u bë mars. Kjo gënjeshtra bie në tokë. Gënjeshtra e katërt që shqiptarët nuk kursejnë, shifrat e bankës 85 mld lekë të futura në depozitat bankare, për 2024 deri në fund të tremujorit të dytë 86 mld lekë. Gënjeshtra tjetër borxhi është ulur nga kursi i këmbimit, referuar bankës 55% ka ndikuar rritje ekonomike PBB dhe deficiti ku ka qenë thelbi balanca primare. Te rritja ekonomike barrën e ka mbajtur turizmi dhe ndërtimi. Gënjeshtra tjetër që nga rritja ekonomike nuk ndodh asgjë, por kur është 4% në vit dhe kur vetëm 3 mujori dytë është 4.1% e GDP dhe është shoqëruar me rritje të punësimit natyrisht që ka ndikim dhe kur sipas BSH paga është rrit me 14-15% jo për sektorin publik por rritje në ekonomi. Kur rritja ekonomike shoqërohet dhe me rritje konsumi natyrisht që rritja ekonomike ka ndikim në ekonomi. Halucinacioni ishte që do i bëjmë pensionet sa pensioni minimal në Mal të Zi. Duke bërë një llogari për ta bërë pensionin 400 euro i duhen 1.2 mld euro të tjera. Kjo është të kalosh ylberin dhe ju e dini si quhet ai që kalon ylberin, pyetini se i keni aty në radhë. Gënjeshtra tjetër ishte që kursin i monedhës ka impaktuar prodhimin dhe mbështetet te paraja e zezë. Shikoni sa janë hyrjet veçanërisht nga eksportit, në 2023 u rritën me 25% në 2024 me 11%. Tani janë 8.7 mld euro eksportet dhe ky fluks paraje natyrisht që ka ndikuar tek kursi. Dhe gënjeshtra e fundit, ishte ajo me bujqësinë. Më vjen mirë që keni nis me fol për bujqësinë. Se kur flisja unë kolegu im këtu thonte prapë me shalqirin ti. Sa është çmimi uresë sot? Nuk e di asnjë. Po flisni rëndë për bujqësinë. Se oligarku i kësaj partie është ai që kontrollon treg e imputeve bujqësore. Thelbi është që çmimet kanë rënë, ureja është me 42 ;lekë nga 100 lekë që ishte, NPK është 58 lekë nga 110 lekë ishte që kur nisi kriza. Thelbi i seancës sot vërtitet tek pensionet, por ajo që u tha 100 euro dhe 150 euro pensione, natyrisht e çon vlerën e bonuesve e të paguara nga qeveria e PS në 540 mln. Skema e bonusit në pranverë, indeksim dhe bonus në dimër dhe skema e pensionit jep shpresë. Unë mund të pres nga gjithkush që ka qenë këtu, nga ata të tjerët nuk pres së në ‘93 kur bëtë reformën pensioneve dënuat me vdekje çdo të moshuar që kishte dalë vetëm 1 vit më parë dhe vendosët një tavan duke mos i bërë të interesuar njerëzit për të paguar sigurimet. Dënuat me mjerim të gjithë ata tjerët që dolën në pension 1 ditë pas miratimit", tha Braçe.
Ministri i Drejtësisë foli sot në Kuvend për buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ai theksoi se ky buxhet do të jetë 14,3 mld lekë dhe i shërben nevojave kryesore të institucionit, por edhe reformave në drejtësi, kompensimit të ish-pronarëve dhe sistemit të sigurisë në burgje.
“56% të totalit e zë sistemi i Burgjeve, 31% shërbimi i kthimit dhe kompensimit të pronave dhe 13 % programet e tjetra në përgjegjësi të Minsitrisë së Drejtësisë. 7.9 mld lekë shkojnë për paga dhe sigurime shoqërore, me një rritje me një 895 mln lekë, që reflekton rritjen e pagave në burgje me 16%, dhe 14% për ndihmën juridike falas, si pasojë e shtesës në organikë me 10 punonjës prej ndryshimit të hartës gjyqësore”, tha ministri ndër të tjera.
Ai sqaroi se nga shuma e përgjithshme, 4,8 mld lekë janë për shërbime operative dhe të mirëmbajtjes, me një shtesë përej 144 mln lekë për Minsitrinë e Drejtësisë, që “kryesisht shkojnë për përkthime për shkak të AQUIS me BE-në, 500 mln lekeë për sistemin e burgjeve, kryesisht për uniforma të stafit ushtarak”.
“1.5 mld lekë janë investime. Vlen të theksohet se investimet e brendshme për 2025 krahasuar me 2024 për sistemin e burgjeve janë shtuar me 400 mln lekë, 133% rritje, ku projekti kryesor do të jetë ndërtimi i një paraburgimi në qytetin e Kukësit, që do t’i shërbejë zonës, pse jo dhe Kosovës”, shpjegoi Manja.
Edmond Spaho dhe Taulant Balla replikuan në seancën plenare teksa vijon maratona e diskutimeve për projekt buxhetin e vitit 2025. Balla u kap tek fjala e Spahos kur tha se bujqësia ka rënë, duke sjellë një shifër të eksporteve 4.5 herë më të lartë sipas ministrit krahasuar me vitin 2013.
Ndërsa Spaho tha se Balla bën kompetentin për çdo gjë në një kohë kur ai ka dalë për të replikuar me ministrin e Financave.
Balla: Pensionet rriten kur rriten taksat.
Në 2023 është 550 milion euro eksporte në bujqësi. 550-ja dhe 120-ja Mondi kush është më e madhe? Lulin e kam pyetur por thashë të pyes ty. Më bëhet qejfin kur thua pyet Lulin. Ore kjo 120-ja është më e vogël apo më e madhe. 4 herë Mondi. Dole këtu the ka ra bujqësia. Ri ka ra kur është 4.5 herë më e madhe eksporti. Natyrshëm dhe konsumatori është rritur Mondi. Ti llogarisësh në 2013 turistë ata që vinin si delegacion. Sot është rritur konsumi me disa fish dhe prandaj ka një rritje edhe të nivelit të importeve. Do kemi boll këto 24 orë. Ju jeni të mëdhenj keni thirrur edhe protestë nesër. Nesër luan kombëtarja Mondi.
Spaho: Jam këtu për opozitë dhe bëj opozitë dhe të evidentoj gjithçka që nuk e kanë drejtë apo gënjejnë. Ju e patë dhe Belën sa e kënaqur ishte për marrëdhëniet e mira. Ti Taulant ke një problem të madh. Hiqesh kompetent në ekonomi. Në financë jep përgjigje. Dhe përgjigje për çdo gjë, ekonomi, financë, krimi, droga dhe e mbylle me sportin. Duhet të kesh parasysh se: Marrëzia vjen kur ke përgjigje për gjithçka, mençuria vjen kur ke pyetje për gjithçka.
Deputetja e PD Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend, aty ku po diskutohet projektbuxheti 2025 u shpreh se në Shqipëri çmimet janë më të larta në krahasim me rajonin.
Tabaku theksoi se flitet për rritje ekonomike, ndërkohë që këtë rritje të vetmit që nuk e ndjejnë janë shqiptarët.
'Unë kam dyshimet e mia në këto shifra që u thanë. Këtu nëse je një sipërmarrës dhe ke një biznes të vogël duhet të paguash TVSH 20 për qind, por nëse ke një biznes të madh ke përjashtim special. Filozofia e kësaj qeverie është merrja të voglit për t’ja falur të madhit, oligarkë. Askush nuk mban përgjegjësi për atë që i ka shkaktuar vendit, është krijuar një situatë e paprecedentë me buxhetin. Dëgjuam për rritjen ekonomike, po a e ndjejnë shqiptarët këtë rritje ekonomike, a ndjejnë pensionistët këtë rritje, a e ndjejnë bujqit. Sektori i bujqësisë është sot 18 për qind e produktit të brendshëm bruto dhe nga vitit 2021 është me rënie. Çmimet në Shqipëri janë më të larta në krahasim me rajonin. Bujqësia dhe turizimi nuk po reflekton, bujqësia ka shumë të punësuar dhe në vendet e tjera ky sektor performon më shumë. Përgjigjja që kanë kërkuar shqiptarët në 12 vite nuk do të vijë as me këtë buxhet’, tha ajo.
‘Në vitin 2013 investoheshin 24 milionë euro në sektorin e bujqësisë, ndërsa sot investohen 146 milionë euro. Kemi një rritje me 323%’, kështu u shhpreh Ministri i Financave, Petrit Malaj teksa ishte duke folur në Kuvend, ku po diskutohet projektbuxheti 2025.
Malaj u pyet edhe nga deputeti i opozitës, Xhelal Mziu, për TVSH për fermerët.
“Në lidhje me skemën e TVSH se ku duhet të aplikohet TVSH dhe ku jo, besoj se ju, deputeti Mziu, keni qenë pjesë e këtij parlamenti kur keni bërë ndryshimet përkatëse dhe kur ishte zero TVSH për fermerët dhe kur ishte 20% dhe kur u ul në 6% e kështu me radhë nëse keni një propozim konkret, i cili do të duhet të ndihmojë më mirë sektorin në fjalë mund të na i prezantoni që të bëjmë një vlerësim dhe të kemi një skemë finale që i shërben fermerëve në mënyrë më të mirë të mundshme.
Kemi një rritje të financimit të sektorit të bujqësisë me 9.9 miliardë lekë më shumë se para 10 vitesh. Kemi një rritje të skemës së kompensimit të fermerëve dhe subvencionimit të naftës me 3.4 miliardë lekë, e cila në vitin 2027 do të shkojë në 5 miliardë”, tha ai.
Mungesa e Brakiterapisë në Spitalin Onkologjik është ngritur si shqetësim në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula.
Ai iu drejtua ministrit të Financave Petrit Malaj duke thënë se, po mendohet më shumë për ndërtim rrugësh sesa për shëndetësinë.
‘Zoti ministër, e dini ju se për 13 vite në Spitalin Onkologjik nuk ka punuar braktiterapia. E dini këtë. Mendoni më shumë për rrugë dhe gjëra tjera sesa për gjëra bazë jetike të njerëzve’, tha ai.
Ndërkohë, Malaj teksa iu përgjigj deputetit demokrat tha se Ministria e Financave alokon vetëm fonde.
'Në lidhje me cështjen e shëndetësisë besoj se shihet qartë edhe këtu që shepnzohen rreth 400 mln euro më shumë. Sa i përket mungesës së aparateve këtë nuk ka nga ta dijë ministri i Financave, kjo duhet të raportohet nga ministri i linjës dhe ministria e Financave bënë alokimin e fondeve përkatëse’, tha ai.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka folur në Kuvend lidhur se projektbuxhetin 2025.
Në fjalën e tij, Malaj u shpreh se për Mbrojtjen Sociale përfituesë janë 62 mijë familje me ndihmë ekonomike dhe do të alokohen 72 milionë euro.
“Për sa i përket mbrojtjes sociale në buxhetin e vitit 2025 parashikohet që të përfitojnë 62 mijë familje me ndihmë ekonomike, për të cilën do të alokohen 72 milionë euro. 164 mijë persona me aftësi të kufizuar, si edhe kujdestarët respektivë do të përfitojnë 181 milionë euro. Do të alokohen rreth 800 milionë lekë për pagesën e personave që dalin të papunë, që do të përfitojnë një pagesë në përputhje me standardet e ILOS, por do të ketë edhe kurse të aftësimit të tyre profesional. Këto janë disa nga bonuset dhe paratë që do të alokohen në buxhetin e vitit 2025 në përgjigje të mbrojtjes sociale”, tha Malaj.
Seanca e sotme në Kuvend ku po diskutohet projektbuxheti 2025, është shoqëruar edhe me tensione.
Teksa ministri i Financave, Petrit Malaj mori fjalën, drejt foltores shkuan deputetët e PD-së, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati të cilët nuk po e lejonin që të fliste.
Madje gjatë, debatit, kreu i Grupit Parlament të PD-së, Gazment Bardhi e ka quajtur ministrin Malaj të “paaftë”.
Për të ulur tensionet ka ndërhyr edhe garda, e cila rrethoi foltoren ku po fliste ministri Malaj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, në fjalën e tij në parlament tha se buxheti nuk është për qytetarët, por për pesë individë.
Ai tha se ky buxheti është dëshmi e korrupsionit galopant.
‘Buxheti është për 5 individë. Derdhe ujë në mënyrë të pakontrolluar dhe ike. Mendon se duke fyer opozitën, ne do biem në kurthin tënd dhe nuk do merremi me buxhetin, por ne do të merremi me buxhetin. Ne jemi ndryshe nga ty që mban karrigen e kryeministrit me krimin e organizuar. Se kush është i palarë dhe qelbet erë atë e di çdo shqiptar. Shko lahu, kurohu dhe bëj pastaj kryeministrin e Shqipërisë. Buxheti është dëshmi e korrupsionit galopant. Kjo qeveri nuk do t’ia dijë për fermerët. Lëmoshat i jep për pensionistët për zgjedhje. Çmimet janë rritur aq shumë, sa shumica e popullsisë nuk i përballon dot’, tha ai.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi gjatë debatit në Parlament edhe në lidhje me deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se pensionistët do të përfitojnë edhe një bonus të dytë në pranverë, përveç bonusit të fundvitit. Ai i cilësoi këto si mashtrime.
“Me pensionistët mendon se do t’i mashtrojë duke ndarë një buxhet minimal, duke u dhënë bonusin e fundvitit që e japin të gjitha vendet e rajonit. Bonusin e fundvitit e japin të gjithë vendet e rajonit dhe vendet evropiane në shenjë solidariteti, çdo vit. Ndërsa zotëria e bën njëherë në katër vite.
As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. Prandaj në buxhetin 2025 nuk parashikon bonus për fundvitin 2025, sepse nuk ka ndërmend t’ia japë. E dha në 2020 për efekt të zgjedhjeve 2021. Po e jep në 2024 për efekt të zgjedhjeve 2025. E ka dhënë edhe në vitin 2016 për efekt të zgjedhjeve të vitit 2017 dhe mendon se me këtë politikë do të gënjejë shtresën më në nevojë, shtresën e pensionistëve.
Se kush është i palarë dhe qelbet erë atë e di çdo shqiptar. Shko lahu, kurohu dhe bëj pastaj kryeministrin e Shqipërisë. Buxheti është dëshmi e korrupsionit galopant. Kjo qeveri nuk do t’ia dijë për fermerët. Lëmoshat i jep për pensionistët për zgjedhje. Çmimet janë rritur aq shumë, sa shumica e popullsisë nuk i përballon dot”, tha Bardhi.
Pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka kërkuar dy minuta pushim për pastrimin e foltores.
Bardhi e mori fjalën pas kryeministrit Edi Rama dhe kolegut Flamur Noka dhe kërkoi që të pastrohej vendi ku do të fliste. Bardhi kërkoi pushim deri sa të pastrohej vendi.
“Kërkoj 2 minuta pushim, të pastrohet foltorja se nga nervat e ka bërë pis”, tha Bardhi.
Më herët, të njëjtën gjë kërkoi edhe deputeti Flamur Noka.
“Të pastrohet urgjentisht foltorja”, deklaroi Noka..
Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama ku prezantoi buxhetin 2025, i pari që mori fjalën ishte Flamur Noka, i cili u shpreh se ky do të jetë buxheti i fundit që mazhoranca do të ketë mundësinë të miratojë.
Në lidhje me fjalën e Ramës, Noka u shpreh se gjithçka ishte gënjeshtër dhe ironizoi reagimin e socialistëve me duartrokitje në kohën kur kreu i qeverisë fliste duke i paralelizuar me mbledhjet e pleniumit të Partisë Komuniste.
'Kur isha i ri shihja pleniumet e parisë suaj, ka neveri më të madhe se kjo që pamë sot. Tha gënjeshtra, u trefishua buxheti. U tall me pensionistët dhe ju duartrokitët. Instituti i Sigurimeve Shoqërore paralajmëron rritje të inflacionit. Gënjeu, 50 mijë lekë ka qenë bonusi dhe rrogë të 13 në kohën e Berishës. Ku i ka ky rrogën e 13 për administratën? Foli për bonusin e bebeve kur 60 përqind e bebeve lindin sot jashtë vendit. Tha i keni lënë rrugët rrugëve, kur që nga 2014 ka ndërtuar vetëm 20 km autostradë ka inauguruar, edhe atë me ccmime 10-fish më të larta. Mbetja e pariciklueshme ka vetëm rrugën e largimit vitin tjetër, sepse ky është buxheti i fundit që do të keni mundësi të miratoni', tha ai.
Kryeministri Edi Rama teksa foli me shifra për buxhetin e vitit 2025, nuk la pa ironizuar edhe opozitën.
Ai e quajti opozitën si mbeturinë të një kohe që nuk kthehet kurrë.
"E dëgjoj shpesh që ne nuk jemi të majtë se nuk mbrojmë shtresën e mesme. Po ja çfarë thonë shifrat e buxhetit.
Nga 122 mld lekë për mbrojtjen sociale kur ne nisëm rrugën tonë, këtë vit 238 mld lekë, dhe në buxheti 2025 kemi 248 mld. Edhe këtu në mbrojtjen e përgjithshme sociale jemi mbi dyfishin për mbrojtjen sociale, që po t'u shtosh bonusin e pranverës do jenë edhe më shumë
Vetëm nga industria e turizmit, shqiptarët përfitojnë të ardhura deri dje të pamundura, ndërsa shteti mbledh më shumë të ardhura se deri dje.
Edhe një shifër të fundit nga ana ime, nëse ka një pikë të dytë pas asaj të pensioneve, ku mençuria më e madhe e këtyre është ta qepin gojën, është bujqësia.
Pa llogaritur fare fondet evropiane, thithja e të cilave ishte thuajse zero dhe me të cilat janë financuar mbi 500 projekte kuptimplote, ato agro turizmat janë realitet, unë them ca thotë buxheti 2025, 146 mln euro për bujqësinë, krahasuar me 38 mln euro kur ishin këta. 5 fishi! Tani në mbyllje për ata që na dëgjojnë jo për këta.
Mblidheni mendjen se keq dolët këtë herë, më keq do dilni herën tjetër. Pranverën e ardhshme do të japin me vendimin e tyre një gjykim që do jetë më i miri historik për PS dhe më i merituari për këto mbeturina të një kohe që nuk kthehet kurrë", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën gjatë fjalë së tij në Kuvend. Ai u shpreh se opozita u tregon pensionistëve dhe shqiptarëve sipas tij 'një tufë përrallash'.
"Ka shumë për të thënë për temën e pensioneve e cila në vigjiljen e ballafaqimit elektoral është bërë shesh për përshesh të lloj lloj spekutalantësh që janë vetëshpallur si shpëtimtarë të pensionistëve dhe kanë nxjerrë në Pazar qilimat fluturues të Sudes dhe Rrapushit.
Herë me fytyrën e rrudhur nga rënia prej fikut të pushtetit dhe herë me fytyrën e djersitur por plot oreks për pushtet këtë shitës qilimash flutures, disa të njohur për punë të këqija, disa të panjohur sepse nuk kanë punuar akoma asnjë ditë të vetme për shtetin, kanë marrë rrugët për tu shitur pensionistëve qilima dhe shqiptarëve një tufë përrallash të 1001 netëve.
Por ndërkohë që këto Sude dhe Rrapush do të ndihmojnë për të bërë të qartë dallimin mes ecjes sonë në rrugën e shtetbërjes europiane dhe ecjes qafëthyese mbi qilimat e përrallave të tyre, dua të sjell këtu vetëm një shumë fakte të punës së mirë që kemi bërë.
A e dini psh që mësueset me 38 vite pune që kanë dalë në pensione përpara se ne të vinim në qeveri merrnin 23 mijë lekë pension, ndërsa çdo mësuese me të njëjtat vite pune e ka 36 mijë leke pas daljes në pension pas 2014", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, iu përgjigj deklaratave të opozitës se rritja e pensioneve nga qeveria është e ulët.
Ai u shpreh se në kohën e PD ishte vendosur një tavan të cilin një pensionistë nuk mund ta kalonte dot sado kontribute të kishte derdhur.
Sipas tij, po ashtu ata që duhet që të merrnin pensionin social nuk e merrnin atë.
‘Ata kishin vendosur një tavan, sa do të kishe punuar dhe kontribuar nuk e kapërceje dot tavanin 24 mijë lekë, që i hapi Shqipërisë me këtë politikë qorre pensionesh, gropën më të madhe të borxhit që ne trashëguam kur morëm qeverinë. Ja pse sot falë reformën sonë të pensioneve ata që kanë dal në pension gjatë kësaj dekade kanë pensione më të larta në bazë të kontributeve që derdhin marrin më shumë. Po kur thonë sudet dhe rrapushët pse është kaq i ulët ky pension, pikërisht këta ngren gishtin ndaj nesh ndaj pensionit social kur i kishin përjashtuar ata që marrin pensionin social, pensioni social ju njoh atyre që nga 2014. Para 2014 shteti atyre si jepte një kokërr lekë’, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama nisi paraqitjen e projektbuxhetit 2025 në Kuvend duke njoftuar të gjithë pensionistët për lajmin e mirë se në ditët në vijim, qeveria do të çlirojë një fond prej 100 milionë euro për pensionistët për bonusin e tyre të fundvitit.
Sipas tij pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë ose 200 euro do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm, një bonus i ri prej 150 euro dhe pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme, përmes një bonusi në masën 100 euro.
Ai tha se do të përfitojnë rreth 511 pensionistë.
“Ky bonus do të ndahet në dy shkallë: Të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë ose 200 euro do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm, një bonus i ri prej 150 euro. Ndërsa, pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme, përmes një bonusi në masën 100 euro.
Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë pension më të ulët.
“Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundvit nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë. Saktësisht, 511 mijë, ku përveç 400 mijë e 500 gjysheve e gjyshërve, përfshihen edhe 65 mijë e 800 invalidë pune dhe 44 mijë e 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetimë. Ndërsa, rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë”, theksoi Kryeministri Rama.
Në fjalën e tij në Parlament, kreu i qeverisë tha se përveç atij të fundvitit, do të marrin edhe një bonus në pranverë.
“Paralelisht me shpërndarjen të bonusit, në ditët para dhjetorit do të krijojmë pranë BSH fondin për një bonus të dytë. Ky do të jetë bonusi i pranverës, që do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere. Vitin e ardhshëm do kemi edhe planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike që do të sjelle edhe të ardhura të tjera për pensionistët”, tha Rama.
Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të protestuar në Kuvend.
Ligjvënësi demokrat ka shkuar në Kuvend me presh, lopatë e qepë në dorë.
'Unë jam këtu sot sepse deputetët e mazhorancës kanë harruar fshatin. Sot po e them se litri i vajit po bie, dhe po them se ky vit do jetë i tmerrshëm për të ardhurat e bujqësisë”, tha ai në një deklaratë për media.
skema e ndihmes ekonomike eshte njesoj si ta lesh dike ne balte perhere,,,ne gjermani ndihma ekonomike nuk eshtte e perhershme,,,ne fillim jepet e pkote,,pasraj zyra e punes te ofron 5 pune rrjesht,,po qe se i refuzon,,ndihma ulet...kurse tek ne qeveria nuk e ka kete skeme....prandaj vazhdon varferia ne shqiperi,,se parate i marrin njerezit kot....para qe paguhen nga ata qe punojne...
PërgjigjuO Gazment Ziu po hik mor burec se sēshtē politika pēr ty o buburec.
PërgjigjuVejni Gaz kryeministēr e Shqoptarēt hajn me lug floriri.
Përgjigjudo marin bonus edhe ne pranvere ditekt para zgjedhjeve bravo Rama blerje vote sa me mbush numrat hallall nuk do me dal ne pergjime por i ben hapur
Përgjigju