TIRANË-VLORË - Dy gra me akuzën e “mashtrimit” janë arrestuar këto 24 orë; njëra në Vlorë dhe tjetra në Tiranë. E para për mashtrim me para të dy studentëve, ndërsa tjetra, edhe ajo për "mashtrim", por pa u specifikuar nga policia se për çfarë lloj mashtrimi. "Mashtruesja" e dytë është edhe me arsim të lartë, madje.

“MASHTRUESJA" E VLORËS
Monika Muhamet Shehu, 37 vjeç, banuese në Vlorë, është arrestuar dje po në Vlorë me akuzën e "mashtrimit". Konkretisht ajo ka mashtruar dy qytetarë nga Fieri, studentë në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, pasi u ka marrë atyre shumën 200.000 lekë me premtimin se do t’i kalonte në provime. Arrestimi është bërë nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Vlorë.

"MASHTRUESJA" E TIRANËS
Dje Seksioni i Kërkimit në policinë e Tiranës në rrugën "Bardhyl" bëri të mundur kapjen e shtetases, Nertila Nazmi Guranjaku, 47 vjeç, lindur e banuese në Tiranë, me arsim të lartë. Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim nga policia e Tiranës që më datë 09.04.2013. Kapja e saj është bërë, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila e ka dënuar këtë shtetase me 6 muaj burg, për vepren penale të “mashtrimit”.

(ma/shqiptarja.com)