TIRANE- Një grupim shoqatash të shoqërisë civile do të protestojnë gjatë ditës së sotme para kryeminsitrisë, për t'i thënë ndal dhunës në familje. Sipas tyre, vetëm gjatë 6 muajve të fundit, kanë humbur jetën 17 gra të vrara brenda familjes.

"Në emër të jetëve të humbura të nënave e bashkëshortëve, të bijve e baballarëve, ose nipërve, i bëjmë thirrje shoqërisë shqiptare të ngrejë zërin dhe forcën e opinionit të saj kundër kësaj plage që shkakton dhuna barbare në të gjithë shoqërinë tonë", - thonë ata në komunikatën për shtyp që u kanë dërguar mediave.

Sipas tyre, është detyrë e institucioneve kompetente të shtetit shqiptar të tregojnë gjithë vëmendjen e duhur për parandalimin, ndalimin dhe ndëshkimin e dhunës në familje. "Njëkohësisht, mungesa e ndëshkueshmërisë penale për dhunën në familje mendojmë se shpie në raste të tilla ekstreme. Prandaj, kërkojmë që Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi të shpejtojë, duke vendosur një vepër penale të posaçme në Kodin Penal, që të dënojë dhunën sistematike që shkel dinjitetin dhe personalitetin e anëtarëve të familjes, në mënyrë të veçantë të grave dhe fëmijëve", - thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.