Petro Koçi thotë se Lazarati vazhdon të mbetet një problem kombëtar në luftën ndaj krimit të kultivimit dhe trafikimit të drogës. Koci shprehet se “Mendoj se për të garantuar suksesin e pritshëm ka nevojë të ndërhyhet me një veprim të koordinuar, polici kriminale, prokurori, shërbim informativ dhe vetë ekzekutivi i ri. Por ky koordinim nuk duhet të vuajë nga lënia e fajit njëri-tjetrit.
Gjithashtu Koçi shprehet se bosët e drogës duhen arrestuar dhe ndëshkuar. Lazarati është një problem që zgjidhet me inteligjencë e jo thjesht me forcë. Përdorimi i kësaj të fundit kërkon mençuri.” përfundon ai.
Ndërsa ish-ministri i brendshëm, Stefan Cipa e sheh Lazaratin si një fshat me shumë vlera të tjera pavarësisht disa individëve. Ai thotë se për insistimin e shtetit në përgjithësi, për kredo politike qeveritë gjatë gjithë kësaj periudhe kanë ngurruar të ndërhyjnë në Lazart për të vendosur forcën e ligjit, kur ligji është një për të gjithë në Shqipëri dhe ai duhet të zbatohet me përpikmëri në të gjithë vendin.
“Unë mendoj që nuk kanë mbetur gjërat thjeshtë për forcë goditëse, por se gjithçka duhet të bëhet në bashkëpunim, pasi jo çdo element në Lazarat është i inkriminuar. Ai është një fshat me tradita. Në bashkëpunim me pushtetin vendor në Lazarat, i cili është fshat-komunë, me punonjësit e policisë, shërbimet inteligjente, duhet të ndërhyhet në kohë për të goditur krimin. Kjo do një ndërhyrje të koordinuar duke e mbështetur Lazaratin dhe me projekte të tjera sociale, dhe kjo mbështetje të jetë në një nivel me gjithë zonën e Gjirokastrës dhe pse jo në të Shqipërinë."
Cipa shprehet se Lazarati duhet që ti kthehet elementëve dhe traditave më të mira që ka me shumicë, dhe të identifikohet me elementin pozitiv dhe jo më emrin jo të mirë me të cilin përmendet sot. “Pra ka ardhur momenti që të distacohet nga disa elementë kriminale që janë në Lazarat. Lazarati ka vlera pozitive.
Ka shumë të trajnuar nga ndërkombëtarët në polici, shërbimet inteligjente që mund ta bëjnë ndërhyrjen për të goditur elementët kriminalë dhe për të vendosur ligjin, por kjo kërkon një mbështetje nga të gjithë për forcat e policisë, jo një pjesë ta sulmojë dhe një pjesë ta mbrojë. Pra të luftojë krimin.” përfundon Cipa. Ende mungon një përgjigje zyrtare se pse nuk ndërhyhet në Lazarat, dhe pse është lejuar kjo situatë alarmante me hashashin në territorin shqiptar, ku siç po del në pah dita-ditës, jo vetëm Lazarati, por e gjithë Shqipëria funksionin dhe me një ekonomi të dytë inofrmale në vlera miliona euro përfitime nga kanabis.
Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)