TIRANE -Komisioni i Ligjeve dhe më pas, edhe ai i Sigurisë, kaluan sot në parim projektligjin për mbikëqyrjen parlamentare të agjencive të inteligjencës dhe të sigurisë. Projektligji kaloi me votat e të gjithë anëtarëve të komisionit, socialistë e demokratë.

Gjatë debateve në Komisionin e Sigurisë, deputeti socialist, Bizhga, vuri në dukje se “Ky ligj s'bëhet efektiv gjatë këtij mandati; ai i shërben opozitës tani që ju po bëheni gati të ikni”.

Deputeti tjetër socialist, Piro Lutaj, tha se “Në parim jemi dakord, por ka gjëra që s'përputhen; ju po nxitoheni dhe qëllimi për të cilin po e sillni këtë ligj, nuk është i vërtetë. Këtë ligj, si dhe të tjerët, e miratoni me vrap dhe nuk e zbatoni”.

Ndërsa deputeti Gjoni kërkoi që ligji të rishikohet dhe njëherë nga pikëpamja formale. “Arsyen e kalimit të tij me shpejtësi do ta shohim pas 23 qershorit”, tha ai, po u kundërshtua nga deputeti i PD-së, Skuqi, i cili tha se “s'ka asnjë lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit, por ju thjesht po bëni një politikë të vogël”.

Projektligj parashikon ngritjen e një nënkomisioni nga Komisioni i Sigurisë, i cili do të drejtohet nga opozita në këtë komision. Ky nënkomision do të ketë si qëllim mundësinë e ushtrimit të një mbikqyrje parlamentare efikase mbi Shërbimet Informative të Sigurisë, në veçanti mbi ligjshëmrinë e aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre, mbi buxhetin dhe shpenzimet e tyre financiare si dhe nivelin e mbikqyrje demokratike të ushtruar nga qeveria. Për këtë projekligj pritet që palët të bien në konsensus me njëra-tjetrën, kjo pas shumë përpjekjesh për një mbikqyrje parlamentare nga ana e opozitës mbi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila është rrëzuar nga të djathtët.

Projektligji në fjalë u diskutua dhe u mbështet nga kreu i Ambasadës amerikane në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, që afroi asistencën amerikane. Arvizu kërkoi në të njëjtën kohë edhe rolin e mbikqyrjes parlamentare në çështjet ushtarake dhe të sigurisë në vend, në bazë të parimeve si vend anëtar i NATO-s.

Redaksia online

(sg/ar.sh/shqiptarja.com)