FIERKompania shtetërore e naftës “Albpetrol” dhe kompania private “Terra oil swiss” po hetohen për ndotjen e lumit Gjanica. Policia e Fierit bën të ditur se dy kompanitë shkarkojnë në lumë mbetjet hidrokarbure.

Nga hetimet e Krimit Ekonomik në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit ka rezultuar se “nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve kanë ndotur ujërat e lumit. Në mënyrë periodike kanë kryer shkarkime të mbetjeve të naftës”.

Kështu, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për tre drejtues. Konkretisht, Klaudio Alisinani,  34 vjeç drejtor i Prodhimit të Naftës dhe Sokol Ahmetaj, 35 vjeç, përgjegjës i Sektorit të Dekantimit, pranë kompaninë Albpetrol sh.a.

Po kështu u procedua Edmond Bejtaj 61 vjeç, drejtor në kompaninë “Terra Oil Swiss” sh.a. Policia bën të ditur se për tre personat janë referuar materialet në prokurori me akuzën “ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës".

"Nga hetimet rezulton se 2 kompanitë private ku janë punonjës përgjëgjës këta 3 shtetas, nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve, kanë ndotur ujërat e lumit Gjanica, pasi kanë shkarkuar aty, mbetjet e këtyre lëndëve", njofton policia. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale " Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës".