Dy letra të shekullit të 16-të drejtuar
Papa Klementit VIII nga himariotët

Dy letra të shekullit të 16-të drejtuar<br />Papa Klementit VIII nga himariotët
Nga gjetjet arkeologjike, del se Himara ka qenë një vendbanim i lashtë. Kalaja në fshatin e vjetër, themelet e së cilës ruhen ende, është datuar prej arkeologëve shqiptarë në shek. IV para Krishtit. Si vend i banuar, Himara dëshmohet që nga shek. III para Krishtit. Emri i saj gjendet në listën e Tearodokëve të Delfit për Epirin, të cilët ishin lajmëtarë që dërgoheshin në krahinat fqinje për të njoftuar zhvillimin e lojërave greke. Nga kjo listë, e datuar midis viteve 220–189, merret vesh se Thoras Thrasimahos K- qe dërguar në Himarë (en Kemarai Thoras Thrasimahos K-) për të dhënë lajmin e zhvillimit të lojërave pitike në Delf.

Dy shekuj më vonë, shkrimtari romak Plini e përmend Himarën si kështjellë të Epirit me emrin Chimera (lat. in Epiri ora castellum in Acrocerauniis Chimera). Në trajtën Himairai, ajo përmendet në shek. VI nga Prokopi i Cezaresë, si një nga kështjellat e rindërtuara prej perandorit Justinian. Në listën e vendeve të fortifikuara të Epirit që jep N. Hamondi, kalaja e Himarës shënohet si kështjellë me mure rrethuese midis 500–1000m gjatësi. Aty rreth viteve 527–558, ajo përmendet në burime romane si pjesë e provincës kishtare Epirus Vetus (Epiri i Vjetër), në trajtën Chimaera/Chimaere, kur “12 përfaqësues të Drinopojës dhe 12 kaonitë do t’i paraqiteshin perandorit Justinian dhe do të caktohen prej tij kontë të krahinave të tyre nën një protospar me kompetencë të përgjithshme mbi Aidonian, Finiqin, Himarën etj. deri në Vlorë e Pulkeriopoli. Vijon pastaj një periudhë heshtjeje që zgjat deri në vitin 1020, kur emri i Himarës nis të përmendet, në trajtën Himairas, së pari në një diplomë të perandorit të Bizantit Vasili II, si qendër peshkopate. Në një diplomë të vitit 1198 të perandorit Aleks III, Himara përmendet si pike orientimi (verso la Chimaera), por jo si provincë, ndërkohë që si të tilla në këtë dokument dalin Oriku, Kanina, Janina, Drinopoli etj.

Si kështjellë shënohet, krahas Butrintit dhe Sopotit, në një dokument të fundit të shek. XIII. Krahas Himarës, nga fshatrat e tjera të kësaj krahine e vjetër është edhe Palasa, e cila përmendet nga perandori romak Jul Cezari në pjesën e tretë të librit të vet “Lufta civile”, ku përshkruan luftën e tij me Mark Antonin në trevat e Epirit dhe të Ilirisë. Jul Cezari shkruan se, më 28 nëntor të vitit 49 (me kalendarin e vjetër në vitin 48) para Krishtit, ai iu afrua tokave të fisit Germini dhe i «zbarkoi ushtarët e tij afër një vendbanimi që quhej Palaeste», në një breg me shkëmbinj të nënujshëm dhe gërxhe, duke iu shmangur limaneve, që mund të kontrolloheshin nga kundërshtari.


Sipas studiuesit italian A. Baldaçi, Palasa do të ketë qenë atëherë një qendër e vogël banimi, një pagus “fshat”, siç është edhe sot, pasi në Akrokeraunet në ato kohë vetëm Oriku ishte oppidum “qytet” dhe Himara castellum “kështjellë”. Ajo do të jetë kthyer në një qytezë më vonë, në periudhën bizantine. Për këtë flasin rrënojat e ndërtimeve të lashta, të një kishe, të banjave antike dhe të një ujësjellësi, si dhe vetë toponimi Megalihora “fshat i madh”, siç quhet sot ullishta mbi plazhin e Dhërmiut, ku ndodhen këto rrënoja. Baldaçi, duke u mbështetur në traditën vendëse, thotë se këto lidhen me Ana Komnenën, vajzën e perandorit bizantin Aleks Komneni, e cila e kalonte verën aty, në një vend që edhe sot quhet Vasiliko. Më pastaj, ky vendbanim është shkatërruar... Sa për fisin Germini, sipas disa autorëve, kemi të bëjmë me Dhërmiun e sotëm, ndonëse duhet thënë që në origjinalin latinisht lidhur me këtë fjalë ka një pasaktësi, gjë që ka dhënë shkas që në ribotimet e mëvonshme të librit të dalë herë Cerauniorum e herë Germiniorum.

Sipas leximit të parë, që na duket më i pranueshëm, bëhet fjalë për fisin e Akrokerauneve, dmth. për një krahinë të tërë. Leximi i dytë lë shteg për të menduar për një fis të veçantë të kësaj treve, ndonëse kjo gjë është e vështirë për t’u besuar. Por edhe sikur të pranojmë për një çast se bëhet fjalë për Dhërmiun, është larg mendsh që një fis i vetëm t’i shkaktonte kokëçarje një ushtrie aq të madhe. Si një port i rëndësishëm i zonës, prej Strabonit (gjeograf grek, 63 para Krishtit–20 pas Krishtit) përmendet Panormi, Porto-Palermoja e sotme, për të cilën ai thotë se është «një liman i madh në qendër të Akrokerauneve». Pra, Himara është një nga qendrat më të vjetra të banimit në bregun e Jonit, themeluesit e së cilës, siç do të shohim kur të flasim për fiset e Epirit, nuk kanë qenë kolonë grekë, por vendës. Vendosja e qendrës së peshkopatës në Himarë dëshmon se ajo ka qenë qendra më e madhe e banuar e bregdetit të Jonit...
 
Organizimi administrativ i Himarës
Për organizimin administrativ të Himarës para shek. XV pak dihet. Nga të dhënat historike, del se, aty nga mesi i shek. XIII, ajo ka qenë arhondí që varej nga Kanina; aty rreth mesit të shekullit pasardhës, Himara përfshihet në Despotatin e Vlorës, që pushoi se qeni me pushtimin turk të Vlorës më 1417. Dokumenti i parë i njohur për organizimin administrativ të Himarës është Defteri osman i sanxhakut të Shqipërisë i vitit 1431, në të cilin Himara del si nahije e vilajetit të Kaninës...

Për shumë nga fshatrat e kësaj liste që nuk identifikohen me vendbanime të sotme a thjesht me toponime, nuk mund të thuhet nëse janë të zhdukura apo u përkasin krahinave të tjera (pasi shpesh një timarliu i jepeshin prona në vende të ndryshme). Veç kësaj, Dhërmiu nuk del ndër emrat e fshatrave të Himarës që janë përfshirë në timarin nr. 59, ndërsa Piluri, Kudhësi dhe Qeparoi përfshihen në nahijen e Sopotit, si pjesë e timarit 59 të Hizir Beut. Pra, kjo listë e kufizon Himarën në Bregdetin e Sipërm, madje me një shtrirje edhe më të vogël nga ajo që ka sot. Më 1583, sipas regjistrit osman të sanxhakut të Delvinës, Himara përfshihej në kazanë e Kurveleshit, që kishte 33 fshatra. Në organizimet e mëvonshme, ajo del herë si kaza më vete, nga e cila varej nahija e Kurveleshit, dhe herë si nahije e kazasë së Kurveleshit, por gjithnjë e lidhur me sanxhakun e Delvinës. Që Himara nuk ka gëzuar të njëjtin status gjatë shekujve të pushtimit turk, këtë e dëshmon edhe një burim grek, sipas të cilit në shek. XVIII Himara ishte kryeqytet i krahinës me këtë emër dhe qendër nënprefekture, me afër 200 familje.

Ajo ndahej në dy pjesë: njëra ishte Bregu i Detit, që përfshinte 14 fshatra; kurse tjetra Kurveleshi me 15 fshatra. Edhe më 1759 përfaqësuesit e Bregut të Detit dhe të krahinave të tjera të Labërisë, në një letër drejtuar careshës së Rusisë, e quajnë Himarën “provincë të shkallës së parë”, gjë që të bën të mendosh se në atë kohë ajo duhet të ketë qenë kaza. Pas reformës administrative të vitit 1864, kur u shkri sanxhaku i Delvinës, Himara mbeti kaza, po pa Kurveleshin, që u shkëputet nga Himara dhe u vu nën varësinë e drejtpërdrejtë të sanxhakut të Gjirokastrës. Më 1870, në Himarë është kajmekam (nënprefekt) Myslim Gjoleka. Edhe në një dokument të vitit 1879 me të dhëna për popullsinë e vilajetit të Janinës, Himara përmendet si kaza që varej nga sanxhaku i Gjirokastrës, kurse Kurveleshi vijonte të mbetej në varësi të drejtpërdrejtë të këtij sanxhaku. Për t’u vënë në dukje është se, në riorganizimet e fundit të shek. XIX, Himara dhe Kurveleshi, si dy krahina kufitare dhe me lidhje të ngushta zakonore, ndërrojnë shpesh vendet në hierarkinë e njësive administrative. Me këtë ndërkëmbim të shpeshtë të statusit të këtyre dy krahinave duket se shpjegohen edhe disa pohime kundërta të të njëjtit autor.

Për shembull, S. Frashëri, në enciklopedinë e tij turqisht, botuar më 1889–1898, në zërin “Himara” shkruan: «Është një nahije e kazasë së Kurveleshit të sanxhakut të Gjirokastrës të vilajetit të Janinës... Qendra e kësaj nahijeje është fshati i Himarës... Kjo nahije njihet midis shqiptarëve me emrin Bregu i Detit.» Por te zëri 18 Ipirotikos Astir, f. 272. “Shqipëria” i kësaj vepre, edhe Himara, edhe Kurveleshi dalin si kaza të sanxhakut të Gjirokastrës, dhe ca më tej, në zërin “Janina”, Himara shënohet si nahije dhe Kurveleshi si kaza... Pas shpalljes së Pavarësisë, krahina e Himarës bëhet nënprefekturë e prefekturës së Vlorës, me shtatë fshatrat e Bregdetit të Poshtëm, kurse më 1920, asaj iu bashkua edhe Çorraj, që iu shkëput Kurveleshit, por që më vonë iu kthye përsëri këtij të fundit. Me riorganizimin administrativ të vitit 1949, Himara bëhet lokalitet me shtatë fshatra dhe këtë status kjo krahinë e gëzoi gjer në fillim të viteve ‘90 të shekullt të kaluar.
 
Himara e shekujve XV–XVIII
 
Në fillim të shek. XV, Kanina, Tepelena, Gjirokastra dhe Delvina ranë nën sundimin otoman. Pushtuesi vendosi në to nëpunës dhe garnizone, duke i kthyer në qendra  administrativo-ushtarake të tij, po pa pushtet mbi krahinën midis tyre, e cila mbeti një nga zonat e lira të Shqipërisë. Meqenëse lidhjet e pjesës së papushtuar të kësaj treve me qytetet e mësipërme u ndërprenë, si qendër e re për ta përfaqësuar këtë zonë të lirë në lidhjet e saj me kancelaritë e Europës u bë fshati i Himarës, ku kishte selinë edhe peshkopi. Si rrjedhim, edhe vetë krahina u njoh nga të huajt me emrin Himarë. Me këtë kuptim e gjejmë emrin e Himarës tek të huajt, por dhe në letërkëmbimin e vendësve me kancelaritë e Europës që nga fundi i shek. XVI. Nga burimet e huaja, të parat që flasin për fshatrat e Himarës (“li casali de la Schimaria”) janë një raport italisht dhe dy letra greqisht të Kostandin Muzakës, kushëriri i Gjon Kastritotit që udhëhoqi ekspeditën mbi Vlorë, Kaninë e Himarë, dërguar dukës së Kalabrisë më 1481. Në këtë raport flitet për një ushtri të madhe turke që ishte dërguar nga Sulltani për të «shkatërruar e zhbërë gjithë Shqipërinë dhe për të shtruar himarjotët, grisejtë dhe kirilejsët (e lo tenimento de li Chimarioti, de li Grisei et de li Chirileisi)».

Kurse letra e datës 16 gusht 1481 e K. Muzakës, që bën fjalë për shpartallimin e ushtrisë turke prej 3000 vetësh të komanduar nga Sulejman Alibej Eunuku dhe zënien e tij rob, thotë se «çliroi Shqipërinë e sa lumenj kishte dhe gjithë fshatrat e Himarës (tolce tutta et li casali di Schimaria)». Në fragmentet e letrave në përkthimin italisht që riprodhon Shuflai, nuk përmenden fshatra27. Por K.Sathas, në kronikën e tij mbi këtë kryengritje, flet për «malet e Himarës» dhe për «popujt e asaj malësie që janë më shumë se 50 fshatra«28. Pra, me Himarë për të cilën flet kronisti, duhet kuptuar gjithë krahina në jug të Vlorës. Në shek. XV, kronikanët turq do t’i quajnë banorët e krahinës thjesht «ata të Himarës», ndërsa emri himarjotë del në kronikat dhe dokumentet perëndimore duke filluar nga viti 1492. K. Sathas, duke folur për ekspeditën e sulltan Bajazitit II më 1492, thotë se turqit i ranë «vendit të Himarës» dhe «himarjotët i braktisën vendet e ulëta dhe u tërhoqën ndër male e fortesa». Pra, me himarjotë, që në përfundim të asaj fushate ranë në marrëveshje me sulltanin «të rrënonin fortesat e Himarës dhe të Sopotit dhe t’i jepnin haraç sulltanit», duhen kuptuar banorët e Labërisë së sotme.

Më qartë se ç’kuptohej me Himarë në atë kohë, del nga shënimet e vitit 1532 të një vëzhguesi të huaj, i cili shkruan: «Provinca e Shqipërisë është e ndarë në tri pjesë, sepse ajo është një provincë e madhe. Pjesa e parë është nën zotërimin dhe pushtimin e venedikasve, e dyta është nën pushtimin e sulltanit, e treta është në zotërimin e shqiptarëve, nga shkaku i maleve të ashpra që ka aty, sepse ka disa njerëz nëpër ata shkëmbinj dhe fise të ndryshme që mbahen në atë vend, siç na kanë thënë… Dhe ata mbahen në një vend e në një pjesë të Shqipërisë që tani quhet Himarë, aty ka male të tmerrshme dhe të mbyllura.» Me këtë kuptim dalin emrat Himarë dhe himarjotë në njoftimet dhe kronikat venedikase e italiane deri në shek. XVIII, ndërsa në dokumentet turke të kësaj periudhe Himara nuk përmendet si krahinë. Nga ana tjetër, dihet se, në pikëpamje administrative, deri në fillim të shek. XVIII Himara ka gëzuar vetëm statusin e nahijes, që përfshinte shtatë
fshatrat e Bregut.
 
Nga burimet e njohura vendëse, po përmendim dy letra të shek. XVI drejtuar Papës. E para, që mban datën 12 korrik 1577, i drejtohet Papës me fjalët: «Ne të Himarës dhe të Epirit, priftër, klerikë e laikë dhe i gjithë populli». Në të flitet për qëndresën e krahinës ndaj pushtuesit, po nuk thuhet gjë për shtrirjen e saj. Se cilat ishin fshatrat e Himarës së asaj kohe, e marrim vesh nga letra tjetër e shkurtit 1581, dërguar Papës nga «gjithë krerët e Himarës», me pëlqimin e «gjithë popullit të krahinës së thënë dhe të atyre që banojnë në tokat e përmendura më poshtë». Emrat e fshatrave të «krahinës dhe peshkopatës së Himarës» që përmenden në këtë letër, origjinali greqisht i së cilës ka humbur, në përkthimin italisht janë: Duchates (Dukati), Brocoto (Brataj), Kaloierates (Kallarati), Trumbazei (Tërbaçi), Sotiriane, Balassa (Palasa), Panglades (Vagalati apo vendbanim i vjetër afër Dhërmiut?), Drimades (Dhërmiu), Heliates (Gjata?), Bunae (Vunoi), Chaperas (Qeparoi), Kudissei (Kudhësi), Pilure (Piluri), Kuzei (Kuçi), Progonates (Progonati), Lupesei (Lopësi), Castelli, Niviza (Nivica), Picernates (Piqerrasi), Bunezze (Buneci), Turnechei, Bubarei (Nivicë-Bubari?), Oreste (Borshi), Bajades (Vakaj), Terna (Fterra), Zarogorizza (Çorraj), Caminizza (Kamenica), Fenecae (Finiqi), Damisei (Damësi), Lechelti (Lekli), Dragotes (Dragoti), Carianae (Karjani), Chunehiza, Pestanae (Peshtani), Bernachus, Cepriota, Aiobasileus (Shën-Vasili) dhe Zulates (Zhulati).

Në këtë listë mungojnë vetë Himara, si qendër e krahinës dhe e peshkopatës, po edhe fshatra të tjera, ndërkohë që Lekli, Dragoti e ndonjë tjetër nuk janë pjesë e kësaj krahine. Me interes për këtë është edhe një letër e vitit 1593 me të cilën pleqtë e krahinave veriore të vendit i kërkojnë ndihmë papës Klementi VIII. Aty ata flasin për bashkimin e shqiptarëve «katolikë të fesë romake» me «gjithë shqiptarët e tjerë të fesë greke, që janë ata të Himarës», gjë që do të thotë se Himara kuptohet jo si një krahinë e Shqipërisë së Jugut, po si gjysma e Shqipërisë. Dëshmi të shtrirjes së Himarës në shek. XV–XVIII gjenden edhe në folklorin e krahinës. Një këngë e vjetër, që haste në variante të ndryshme gjithandej Labërisë, thotë:
Që në Gumenic’ e lartë,
Himarë i thonë çdo fshatë....
E nisim me Bregdenë
e shkojmë në Tepelenë,
vemi kufi me Delvinë,
ndë Dragji e gjer Kaninë
 
Në këngë të tjera, kufiri jepet më saktë, duke përfshirë në veri edhe Kaninën e Drashovicën, kurse në jug Kardhiqin; në to jepet edhe numri i fshatrave «mbi pesëdhjetë fshatra që janë». Por këto këngë duhet të jenë më të reja dhe kufijtë e krahinës e numri i fshatrave të saj duken më fort fryt i leximeve. Informacion më të plotë për shtrirjen e krahinës së Himarës e jep një letër e vitit 1759 drejtuar careshës Elisabeta të Rusisë, nga e cila del se Himara përfshinte mbi 50 fshatra. Aty jepen emrat e 47 fshatrave më të mëdha, të cilave u duhen shtuar edhe fshatra të vogla, për të cilat në letër thuhet se «nuk po i përmendim». Në fillim numërohen fshatrat e krahinës së Bregut të Detit: Himara, Piliureus, Bunceci, Drimades, Kllopero, Nivica, Pallasa, Pikerni, Basilio, Liates, Llukovo, Kvaranta, Vuno, Saseno (Sazani) dhe Otorsi (Borshi).

Pastaj vijnë fshatrat e krahinave të brendshme: Dukati, Drazhia, Radhima, Gjomboçari, Gumenica, Mazzari, Drubaçe, Kudësi, Nivica, Liopësi, Mavrova, Vranishta, Zenogorica (Çorraj), Smokthina, Gjonimei, Kallozherates, Zugliates, Vermihiotes, Lepenica, Kucci, Kardini, Velçja, Bratades, Galiasa, Golimbades, Liaparda, Millu, Doksiotes, Progonates, Gliopeziotes, Vansa, Tepelena. Nga shqyrtimi i kësaj liste, vërehet se shtrirja e krahinës së Himarës përcaktohet më qartë. Në perëndim dhe në lindje kufijtë e Himarës së shek. XVIII përputhen me kufijtë e sotëm të Labërisë. Kurse kufijtë veriorë dhe jugorë të saj janë të rrudhur: në veri mbeten jashtë fshatrat e Kudhës-Grehotit, ndërsa në jug Rrëzoma e Delvinës. Pra, Himara e shek. XVIII ka një shtrirje më të vogël se në shek. XVI dhe se Labëria e sotme. Megjithatë, duke krahasuar listën e vitit 1581 dhe atë të vitit 1759, mund të arrihet në përfundimin se, që nga fundi i shek. XV e deri në shek. XVIII, Himarë quhej krahina që përfshinte Kurveleshin, Tepelenën labe, Mesaplikun, Kudhës- Grehotin dhe Bregdetin e sotëm, nga Kepi i Gjuhëzës, në perë- ndim të Vlorës, e deri në kanalin e Korfuzit, dmth. Kufijtë e saj përputhen plotësisht me shtrirjen e Labërisë. Si fise të veçanta të Himarës së këtyre shekujve dalin himariotët, grisejtë, plesejtë dhe korvesejtë, këta të fundit të quajtur ndryshe edhe Chirileisi e Churlisey, dmth. kurveleshasit e sotëm.


Mirëpo, duke filluar nga çereku i fundit i shek XIX, Himara nuk e ka më këtë shtrirje. Një dëshmi e viteve 1812–13 për këtë vjen nga udhëtari anglez H. Holand, i cili Himarë quan vetëm zonën bregdetare në jug të Gjirit të Vlorës, duke bërë saktësimin e mëtejshëm se «himarjotët i përkasin fisit shqiptar të labëve, që banon në trevën midis Vlorës dhe Delvinës». Kthimi në fenë myslimane i fshatrave të pjesës së brendshme të krahinës dhe ruajtja e besimit të vjetër prej fshatrave të Bregut të Detit u bë shkak për venitjen e lidhjeve shpirtërore midis dy pjesëve dhe për veçimin e këtyre të fundit si krahinë më vete. Shtrirja e kësaj krahine erdhi e u ngushtua edhe më në gjysmën e parë të shek. të 19-të, duke përfshirë vetëm 7 fshatrat e Bregdetit të Sipërm. Patrikana e Stambollit, nën juridiksionin e së cilës mbeti Bregu i Detit pasi u shkri kryepeshkopata shqiptare e Ohrit, u ruajti këtyre fshatrave edhe venomet, që deri atëherë i gëzonte gjithë krahina e vjetër e Himarës...


(v.gj/shqiptarja.com)
 
Shkrimi u publikua sot(30.08.2015) në gazetën Shqiptarja.com(print)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)