Policia e Kosovës ka konfiskuar një shumë prej më shumë se 2 milionë euro në kartmonedha të falsifikuara gjatë mbrëmjes të së premtes.
 
Shuma është kapur në momentin që një shtetas i Kamerunit dhe një shtetas shqiptar kanë tentuar të hynë në Kosovë nga Shqipëria.
 
Të dy të arrestuarit kanë qenë duke përdorur një taksi, por gjatë kontrollit nga autoritetet kosovare është zbuluar në bagazhin e saj shuma prej 2 milionë eurosh në kartmonedha të falsifikuara.
 
Kartomonedhat e falsifikuar ishin të prerjeve 50, 100, 200 dhe 500 euroshe, ndërkohë në automjet janë zbuluar edhe letra të prera në madhësinë e kartmonedhave si dhe kimikate të përdorura për falsifikimin e tyre.
 
Gjithashtu janë sekuestruar edhe dy pasaporta kamerunase dhe një leje qëndrimi në Francë, ndërkohë dy personat që ndodheshin në mjetin taksi janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim.
 
Shuma më e lartë e kartmonedhave të falsifikuara është zbuluar në nëntor në Bullgari, ku janë konfiskuar nga policia 13 milionë euro në prerje 500 euroshe.
 
Banka Qëndrore Evropiane  ka deklaruar se do të ndalojë prodhimin e kartëmonedhës 500 euroshe në fund të vitit  2018 pasi vlera e saj e lartë duket sikur ka lehtësuar veprimtaritë kriminale.
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com