Kur u takuan në veri të Serbisë në nëntorin e kaluar, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri hungarez Viktor Orban vështirë se mund ta kishin imagjinuar se, brenda një viti, të dy do të largoheshin nga pushteti.
Të dy u rrëzuan nga lëvizje popullore. I pari ra Orbani, në prill, pasi u mund nga partia Tisza e Peter Magyarit. Më pas, me 25 tetor një lëvizje studentore, e krijuar më pak se dy vjet më parë, fitoi me një diferencë të thellë zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Partia Tisza në Hungari dhe Lista Studentore në Serbi duken shumë të ndryshme. Tisza mbështetet te personaliteti dhe energjia e drejtuesit të saj, ndërsa studentët në Serbi këmbëngulin se nuk kanë një udhëheqje.
Por pjesëmarrja shumë e lartë në zgjedhje, 79% në Hungari dhe 69% në Serbi, u nxit në të dy vendet nga të rinj që dinë ta përdorin teknologjinë. Ata përdorën mjete të inteligjencës artificiale për të analizuar të dhënat, për të identifikuar kërcënimet ndaj procesit të votimit dhe për të mobilizuar dhjetëra mijëra vëzhgues zgjedhorë, me qëllim parandalimin e frikësimit të votuesve dhe manipulimit të zgjedhjeve nga partitë në pushtet.
Mobilizimi i votuesve dhe roli i vëzhguesve zgjedhorë luajtën një rol të madh në fitoren e opozitës në të dy vendet.
Fundjavën e kaluar, grupi qytetar DE nga Hungaria dërgoi 70 vëzhgues zgjedhorë në Serbi, për të punuar me përfaqësuesit e lëvizjes studentore dhe për të vizituar qendrat e votimit në provincën veriore serbe të Vojvodinës.
Gjatë verës, madje përpara se të shpalleshin zgjedhjet, ata organizuan seminare për të ndarë me studentët serbë përvojën dhe metodat e përdorura gjatë zgjedhjeve në Hungari.
Një nga teknikat kryesore ishte identifikimi paraprak i zonave zgjedhore të konsideruara “të infektuara”, ku numri çuditërisht i lartë i votave për partinë në pushtet në zgjedhjet e mëparshme sugjeronte se mund të ishin përdorur metoda frikësimi ndaj votuesve ose votimi zinxhir.
“Rreth orës 16:00, ditën e zgjedhjeve, vumë re grupe huliganësh të maskuar, mbështetës të Vuçiçit, që po grumbulloheshin pranë qendrave të votimit”, tha për BBC-në Peter Klemm, një aktivist studentor nga Subotica.
“Prandaj dërguam ekipe të lëvizshme dhe nisëm të filmonim gjithçka" shton ai.
Sipas tij, prania e ekipeve të lëvizshme, së bashku me vëzhguesit që ndodheshin tashmë në qendrat e votimit, bëri që në çdo qendër të kërcënuar të kishte nga 20 deri në 30 vullnetarë. Ai beson se kjo prani shërbeu si një pengesë e fortë dhe parandaloi frikësimin ose manipulimin e votës.
Orbani në Hungari dhe Vuçiçi në Serbi dukeshin të pathyeshëm. Të dy ishin udhëheqës të fuqishëm, që kishin qëndruar në pushtet përkatësisht 16 dhe 14 vjet, kishin marrë kontrollin e institucioneve shtetërore dhe kishin ngritur perandori biznesi që shtriheshin në të dy vendet.
Kur u ulën për një drekë të shpejtë me byrek tradicional, në një furrë të vogël dhe të njohur në qendër të Suboticës, pothuajse një vit më parë, Orbani zgjodhi byrek me djathë, ndërsa Vuçiçi me mish.
Më pas shkuan në një kantinë vere në zonë, ku diskutuan për naftën dhe marrëveshje të tjera biznesi, përfshirë blerjen e planifikuar nga Hungaria të rafinerisë serbe të naftës NIS.
Dy udhëheqësit nacionalistë kishin shumë gjëra të përbashkëta në biznes dhe politikë. Mes tyre ishte miqësia me Vladimir Putinin në Rusi dhe presidentin kinez Xi Jinping, si edhe mbështetja e fortë për Milorad Dodikun, udhëheqësin separatist të serbëve të Bosnjës.
Ndërkohë, një linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë mes Beogradit dhe Budapestit po ndërtohet me financim dhe ekspertizë kineze.
Ngjashmëritë mes largimit të tyre nga pushteti janë të jashtëzakonshme. Aleksandar Vuçiç pranoi humbjen pikërisht në orën 21:30 të së dielës në mbrëmje, njësoj si Viktor Orbani më 12 prill. Pak vëzhgues prisnin që ndonjëri prej tyre ta pranonte humbjen në mënyrë paqësore.
Gjatë kësaj jave ka pasur spekulime se Vuçiçi foli dy herë me Orbanin të dielën në mbrëmje për t'i kërkuar këshilla. Një herë përpara se të pranonte humbjen dhe një herë tjetër në orën 23:15. Sipas këtyre spekulimeve, Orbani e bindi aleatin e tij serb të mos përdorte forcën.
Vuçiçi mohon të ketë folur me Orbanin përpara njoftimit të tij, por pranon se biseda e mëvonshme ka ndodhur. Viktor Orbani, i kontaktuar nga BBC, nuk pranoi të komentonte.
Një orë përpara mbylljes së qendrave të votimit në Serbi, grupe personash të maskuar dhe me kapuçë zunë pozicione në qendër të Beogradit. Gjatë votimit, grupe të ngjashme u fotografuan në shumë qendra votimi, ku u penguan nga vëzhguesit zgjedhorë.
Ka edhe një tjetër ngjashmëri të çuditshme në shifra. Lista Studentore do të ketë 140 vende në parlamentin serb me 250 deputetë, po aq sa fitoi partia Tisza e Peter Magyarit në parlamentin hungarez me 199 vende.
Magyari ishte i vetmi udhëheqës europian që i telefonoi drejtpërdrejt studentët atë mbrëmje për t'i uruar për fitoren dhe ndoshta i vetmi që kishte numrin e tyre të telefonit.
“Është gjithmonë kënaqësi të dëgjosh se historia e Tiszës mund të shërbejë si frymëzim për kombe të tjera”, tha kryeministri hungarez për BBC-në.
“Rezultati i zgjedhjeve në Hungari na tregoi qartë se ajo që po bëjmë këtu është e drejtë”, tha në prag të votimit drejtuesi i Listës Studentore, Ilija Srdanoviç.
Srdanoviç ishte një nga personat me të cilët Peter Magyari foli në telefon atë të diel në mbrëmje.
Orbani, 63 vjeç, dhe Vuçiçi, 56 vjeç, tani mund të përballen të dy me ndjekje penale për korrupsion dhe shpërdorim pushteti.
Sistemet gjyqësore në të dy vendet kanë ngjashmëri. Prokuroria Speciale e Serbisë për Krimin e Organizuar, JTOK, dhe prokurorët e rinj specialë të Hungarisë, të njohur si NVVH, kanë kompetenca të ngjashme. Ato mund t'i vijnë në ndihmë njëra-tjetrës.
Kompani hungareze të afërta me Orbanin ishin gjithashtu të përfshira në projektin e ndërtimit të stacionit hekurudhor të Novi Sadit.
Shembja e strehës së stacionit më 1 nëntor 2024, për të cilën u fajësuan korrupsioni dhe neglizhenca, shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe u bë shkëndija që nxiti lindjen e lëvizjes studentore në Serbi.
“Në Europë ekzistonte perceptimi se sa më gjatë të qëndronin në pushtet regjimet e Orbanit dhe Vuçiçit, aq më të forta bëheshin”, tha për BBC-në Aron Timar, themeluesi i grupit qytetar DE në Hungari.
“Në fakt, ato po dobësoheshin. Dhe sapo shoqëria gjeti zërin e saj dhe u ngrit, nuk kishte më asnjë mënyrë për ta ndalur.”/BBC





Komente
Komento