TIRANË - Trafiku i armëve drejt Kosovës ka vënë në pranga 6 persona, mes të cilëve dy punonjës të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Burime zyrtare nga policia thanë se, të arrestuarit kishin ngritur një grup kriminal që merrej me trafikun e armëve të ndryshme.
 
Hetimi në lidhje me këtë grup kriminal është bërë nga efektivët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, të cilët kishin marrë informacione për përfshirjen e dy punonjësve në këtë rrjet trafiku.

Arrestimi i këtyre personave është bërë pas një hetimi intensiv disamujor, të bërë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “trafikimit të armëve dhe municioneve”.

Nga dokumentimi i deritanishem i aktivitetit kriminal të këtij grupi rezulton se vetëm magazinieri i Repartit 100 i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka furnizuar grupin kriminal, me 100.000 mijë copë fishekë.

Magazinieri i Repartit 100 të Ministrisë së Punëve të Brendshme u arrestua edhe më parë, në vitin 2012, për të njëjtën akuzën por u shpall i pafajshëm dhe u rikthye në detyrë.

TË ARRESTUARIT GJATË OPERACIONIT JANË:
Fadil Sula, 53 vjeç, lindur dhe banues në Bushtricë të rrethit të Kukesit, me detyrë Inspektor në Drejtorinë Rajonale të Kufirit e Migracionit Kukës, i dyshuar si organizatori i këtij grupi kriminal.

Liman Gjici, 47 vjeç, lindur e banues në fshatin Bushtricë të rrethit të Kukësit, i dyshuar si ndihmësi i organizatorit kryesor të këtij grupi.

Hamdi Matja, 52 vjeç, lindur në Krujë e banues në Tiranë, me detyrë magazinier armatimi në Repartin 100, pranë Ministrisë se Punëve te Brëndshme, në rolin e furnizuesit kryesor me armë e municione te organizatorëve të këtij trafiku.

Lorenc Zyli, 34 vjeç, lindur e banues në Gramsh, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.

Erjon Zisko, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Skënderbegas të Gramshit, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.

Abedin Plaku, 53 vjeç, lindur e banues në Gramsh, në rolin e grumbulluesit dhe furnizuesit me armë e municione të organizatorëve të këtij trafiku.
 
Operacioni për kapjen e tyre u finalizua në dalje të tunelit të Kalimashit, teksa anëtarët e grupit kriminal ishin duke transportuar një sasi armësh dhe municionesh luftarake. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
 
12780 fishekë automatiku e pistoletë;
4 armë automatike;
Një sasi e konsiderueshme, pjesë armësh të ç’montuara.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)