Tre shkolla të reja të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të jenë gati në nëntor për nxënësit e Kavajës dhe Rrogozhinës. Kryeministri Edi Rama bashkë me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj kanë inspektuar punimet në shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit që po rindërtohen në Rrogozhinë dhe Kavajë.
Shkolla 9-vjeçare "Gosë" në Rrogozhinë gjithashtu edhe shkolla në fshatin Shtodhër të Kavajës do të jenë gati në nëntor për vitin e ri shkollor.
Shkolla në Rrrogozhinë do të jetë 6 herë më e madhe se ajo që u rrafshua në natën e 26 nëntorit të shkuar.
“Punimet vijojnë me ritme të larta për të rikthyer në shkollën e tyre 350 nxënës, që do të kenë 17 klasa, 4 laboratore, palestër, mjedise sportive e të gjelbëruara”, tha ministri Ahmetaj.
Drejtoresha e shkollës “Gosë“ nga ana e saj shprehu mirënjohjen, ndërsa theksoi rëndësinë e ndërtimit të saj për fëmijët e zonës. Në Bashkinë Rrogozhinë do të ndërtohen 6 shkolla të reja dhe paralelisht po punohet edhe për banesat e reja.
Kurse shkolla 9-vjeçare dhe parashkollore në Shtodhër do të jetë gati në nëntor për të pritur 310 fëmijë.
"Shkolla e re është projektuar me 11 klasa të përgjithshme për mësim, 4 laboratore dhe ambientet e gjelbëruara që i mungonin shkollës së vjetër. Në Kavajë do të rindërtohen nga e para 12 shkolla të reja", shkruan Rama në profilin e tij në Facebook.
Gjithashtu në Kavajë një tjetër shkollë do të jetë gati në nëntor, kësaj radhe shkolla profesionale “26 Marsi” e cila do të jetë gati për të pritur 624 nxënës, në ambientet e reja të projektuara me më shumë hapësirë se më parë, 18 klasa, 8 laboratore, terrene sportive e të gjelbëruara.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj gjatë vizitës në Kavajë kanë inspektuar punimet edhe në kantierin e ri ku po ndërtohen 7 pallate e 300 apartamente.
"Në kantierin e madh të Rindërtimit, ku do të ndërtohet kompleksi që përbehet nga 7 pallate banimi me 300 apartamente e do të ngrihen 100 njësi shërbimi nga themelet me standardet më të larta dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme, nga rrjeti rrugor, rrjetet inxhinierike të furnizimit dhe çdo detaj tjetër për zonën e re zhvillimore pas tërmetit të 26 nëntorit 2019", tha Rama