Prokuroria e Sarandës ka dalë me një njoftim zyrtar për ndalimin e nënkomisarit Edmond Ruçi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”.

Ndalimi i tij erdhi pas arrestimit të 2 personave të akuzuar për shitje të lëndëve narkotike. Nga hetimet për këtë rast thotë prokuroria, ka rezultuar se nënkomisari Edmond Ruçi ka kryer veprën penale të korrupsionit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se me urdhër të Prokurorisë në dhomat e shoqërimit ku ishin dërguar dy të arrestuarit për shitje droge, ishin vendosur përgjues,  nga ku është bërë dhe zbulimi i përfshirjes së Ruçit në aferë korruptive me këta persona.

Njoftimi i Prokurorisë Sarandë

Hetimet e Prokurorisë Sarandë për një çështje për ‘Prodhimin e shitjen e narkotikëve’ çojnë në ndalimin e oficerit të policisë, i dyshuar për përfshirje në korrupsion pasiv

Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, shtetasi E.R., është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë.

Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.

Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në vepime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim per veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” prashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e AMP dhe hetimet po vijojnë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë