Oficeri i Policisë Gjyqësore, Edmond Ruçi, i arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Sarandë, dyshohet se ka përdorur informacionet hetimore për të favorizuar persona të përfshirë në veprimtari kriminale, kundrejt përfitimeve financiare. Sipas burimeve të gazetarit të Report Tv Sokol Dema, Ruçi kishte siguruar informacione për përfshirjen e dy vëllezërve në aktivitete të paligjshme dhe pas nisjes së hetimeve, kërkoi autorizim nga prokuroria për përgjimin e tyre.
Gjatë përgjimeve, dy të dyshuarit flisnin për veprimtarinë kriminale që po hetohej nga autoritetet. Por në vijim, oficeri i policisë dyshohet se ka takuar nënën e dy vëllezërve, së cilës i ka treguar se djemtë e saj ishin nën hetim dhe se po përgjohej komunikimi i tyre. Ai i ka kërkuar gruas që djemtë t’i jepnin shuma parash, me qëllim mbylljen e procedimit penal dhe shmangien e arrestimit. Gruaja më pas ka komunikuar me dy djemtë e saj, duke i vënë në dijeni për bisedën me efektivin e policisë.
Këto komunikime janë regjistruar në përgjime, pa dijeninë e Ruçit. Pasi dy vëllezërit nuk kanë pranuar të paguanin shumën e kërkuar, Edmond Ruçi ka dorëzuar në prokurori provat dhe materialet e përgjimit kundër tyre. Megjithatë, në dosje ishin administruar edhe bisedat komprometuese mes nënës dhe djemve të saj, ku flitej për kërkesën e efektivit të policisë. Nga zbardhja e përgjimeve, prokuroria dyshoi se oficeri kishte luajtur në dy krahë, duke përdorur hetimin për qëllime përfitimi personal. Pas verifikimit të komunikimeve, është lëshuar urdhri për arrestimin e tij.
Lajmi kryesor:
Dy shpërndarës droge ‘fundosën’ nënkomisarin e Sarandës, ndalimi i Edmond Ruçit erdhi pas përgjimeve ambientale në komisariat











