Dy persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve raketore ruse gjatë natës në dy rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Harkiv, thanë të martën zyrtarët ukrainas.
Cak i sulmeve ishin një spital në qytetin Selidove dhe një minierë thëngjilli, shkroi në Telegram ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.
“Dy ndërtesa të spitalit u dëmtuan, gjashtë civilë u plagosën. Mund të ketë viktima nën rrënoja, operacionet e kërkimit po vazhdojnë”, theksoi ai.
Një punëtor në minierën e thëngjillit u vra gjatë sulmit, tregoi ai.
“Katër ndërtesa, 19 automjete dhe një linjë e rrymës u dëmtuan. Tridhjetë e nëntë minatorë ngecën nën tokë. Të gjithë minatorët janë nxjerrë në sipërfaqe tani”, tha ministri ukrainas.
Një person tjetër u vra si pasojë e granatimeve ruse në Harkiv, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synehubov.
Rusia, e cila e nisi pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022, e ka kapur shumicën e territorit të Donjeckut dhe ka thënë se synimi i saj është ta kapë tërë këtë rajon.
Forcat ruse i vazhduan sulmet në Ukrainë derisa Kievin e vizitoi të hënën sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin.
Austin e bëri këtë vizitë të paparalajmëruar si shenjë mbështetje për Ukrainën, pasi janë rritur shqetësimet se aleatët perëndimorë të Kievit, posaçërisht SHBA-ja - e cila është përkrahësja e tij më e madhe ushtarake dhe financiare - janë “lodhur nga lufta”.
“Jam këtu sot për ta dhënë një mesazh të rëndësishëm – Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në luftën e saj për liri kundër agresionit të Rusisë, tani dhe në të ardhmen”, tha Austin.
Kjo ishte vizita e dytë e Austinit në Ukrainë, i cili udhëtoi me tren drejt Kievit nga Polonia./REL
Rusia qe po ben krime lufte bombardon ashper dhe vret 2 vete kurse izraeli po vret me mijera civile perdite por per vendet perendimore e ben per vete mbrojtje kjo eshte cmenduri ka arritur kulmi i padrejtesise
Përgjigju