Dy tërmete të forta goditën mesditën e kësaj të diele ishullin EviaGreqi, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme në disa zona. Lëkundjet u ndjenë edhe në Athinë dhe rajonet përreth.

Sipas Institutit Gjeodinamik grek, tërmeti i parë u regjistrua në orën 12:58 me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter dhe me thellësi rreth 5 kilometra. Vetëm pak minuta më vonë, zona u godit nga një tjetër tërmet më i fortë me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter, me epiqendër pranë Prokopit në Evian veriore.

Autoritetet lokale raportojnë dëmtime në banesa në Prokopi dhe Dafnusa, ndërsa në disa segmente rrugore janë shënuar rrëshqitje dherash dhe gurësh. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.

Sipas kryebashkiakut të Mantudit, Janis Capurniotis, ekipet e emergjencës ndodhen në terren për të verifikuar situatën dhe për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga lëkundjet.

Ndërkohë, sizmologët grekë janë shfaqur qetësues. Profesori i sizmologjisë Kostas Papazahos tha në një intervistë për CNN se bëhet fjalë për një zonë që ka prodhuar edhe më herët tërmete të kësaj magnitude dhe se nuk ka arsye për alarm.

Edhe sizmologu Athanasios Ganas tha se rajoni njihet për aktivitete sizmike që arrijnë deri në 5.5 ballë, por shtoi se është ende herët për të përcaktuar nëse tërmeti 5.2 ishte lëkundja kryesore.

Përveç dëmtimeve në banesa dhe dyqane, mediat greke raportojnë se dëme janë shënuar edhe në kishën e Shën Gjergjit pranë Prokopit, ku në momentin e tërmetit po zhvillohej një ceremoni pagëzimi. Autoritetet po monitorojnë situatën dhe vijojnë vlerësimin e pasojave.