KURBIN- Dy vëllezër të verbër dhe nëna e tyre e moshuar nga fshati Zhejë i Kurbinit prej 2 muajsh jetojnë mes frikës dhe ankthit pasi banesa e tyre ka pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit.
Pavarësisht rrezikut që ka objekti tre anëtarët e familjes Mamli jetojnë në këtë banesë e cila rrezikon të shembet. Ata thonë se askush nuk iu ka ardhur në ndihmë për t'iu siguruar strehim, ndaj janë të detyruar që të qëndrojnë aty.
"Kanë ardhur njëherë për verifikim dhe se di çfarë kanë bërë dhe kanë ikur. Na thanë që do vijnë ekspertë nga Tirana. Po rrimë me frikë, të paktën të vdes unë dhe jo të gjithë nëna e vëllai. Unë kërkoj nga shteti që të më gjejë një shtëpi sepse jam në qiell të hapur", tha një vëllezërit.
Për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore dy vëllezërit e kanë të pamundur që t'iu drejtohen institucioneve për të kërkuar zgjidhje për problemin që kanë. Ata apelojnë për ndihmë, pasi jetesa në banesën e tyre është me rrezik për shkak të dëmtimeve nga tërmeti.