Në Baltëz të Fierit, është zhvilluar paraditen e sotme ceremonia përkujtimore me rastin e 2- vjetorit të rënies në krye të detyrës të efektivit të polivisë, Novruz Cenalia. Në ceremoni morën pjesë, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erjon Ahmeti, efektivë dhe familjarë.

Të pranishmit vendosën kurora me lule pranë varrit të efektivit, duke përkujtuar jo vetëm aktin e tij të sakrificës, por edhe vlerat njerëzore dhe profesionale që e karakterizonin.

Drejtori Ahmeti teksa u bëri të ditur familjarëve se në këtë 2-vjetor efektivit Cenalia i është akorduar statusi i “ Dëshmorit të Atdheut”, theksoi se sakrifica e tij do të qëndrojë përherë në piedestalin më të lartë të Policisë së Shtetit.

Cenalia u vra në 13 maj 2024, gjatë ushtrimit të detyrës pasi ndaloi një automjet dhe i kërkoi drejtuesit të mos lëvizte ne shpejtësi në rrugë.

Autori i krimit, Azgan Merrnica reagoi me armë zjarri duke e qëlluar për vdekje efektivin e policisë. Ngjarja u konsiderua një sulm i  rëndë ndaj uniformës së Shtetit  dhe rendit publik ndërsa autori i vrasjes vuan dënimin me 35 vite në burgun e Fierit, dënim ky që solli reagime të forta të opinionit publik.