Një shtetas italian rezulton të ketë humbur në Shqipëri. Denoncimi vjen nga e motra e tij, e cila ka thënë për kanalin italian TGCOM, se Ivan Angelo, 43 vjeç ka dy vjet që nuk bëhet i gjallë.

Sipas saj, Ivani ka ardhur në Shqipëri që në qershor të vitit 2013. Motra e Ivanit tregon se ai ka njohur në internet një shqiptare me emrin Alba. Ivani dhe shqiptarja flisnin shpesh në “Skype”, deri sa vendosën që të takoheshin në Tiranë, në prill të vitit 2013.

Sipas rrëfimit të motrës, Ivani u njoh edhe me prindërit e vajzës dhe më pas vendosën që të martoheshin. Ivani u kthye sërish në Tiranë në qershor, kur edhe humbi gjurmët.

Por rrëfimi i motrës së Ivanit shkon më tej. Ajo dyshon se Ivani ka zbuluar diçka të pazakontë te Alba. Sipas saj bëhet fjalë për falsifikim dokumentesh dhe se Alba nuk ishte ajo që hiqej.

“Ivani zbuloi diçka prej Albës se ajo merrej me punë të paligjshme. Por gjithsesi pranoi që të shkonte në Tiranë. Ajo vazhdimisht i kërkonte një kopje të pasaportës”, thotë Barbara. Ivani u nis për në Shqipëri në qershor të vitit 2013 nga porti i Ankonës. Automjeti i tij është gjetur në një vendparkim atje, por asnjë gjurmë prej tij.

43-vjeçari nuk përgjigjet as në telefon, as në e-mail apo në rrjetet sociale. Motra e tij, Barbara tregon se ditët e para ai telefononte shpesh. Ajo tregon se Ivani i kishte folur për një zënkë me Albën në një nga baret e Tiranës. Barabara vijon rrëfimin e saj duke thënë se nga i vëllai i është dorëzuar një çantë udhëtimi, ku ishte dhe lap-topi i tij, por pa hard-disk.

“Alba na dha dy versione lidhur me hard-diskun e kompjuterit, duke thënë se në zënkë e sipër Ivan e kishte thyer, por ai rezultonte i padëmtuar. Dhe në një bisedë të dytë, tha se para se të largohej nga lokali Ivani e kishte hequr vetë atë. Më vonë zbuluam se Alba kishte disa profile në “Facebook: dhe përdorte emra të ndryshëm. Pavarësisht denoncimit, nga hetimet nuk ka pasur rezultat. Nga autoritetet shqiptare një vit pas zhdukjes na u tha se Ivani kishte dalë nga Shqipëria përmes portit të Durrësit për në Bari. Por të dhënat në dokumente ishin të paplota dhe kishte mospërputhje. Në tetor  shkova në Tiranë dhe takova Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, i cili më shoqëroi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në drejtorinë e krimeve për të bërë denoncim, aty më thanë se nuk e njihnin rastin, por më premtuan se do nisnin hetimet”, thotë motra e Ivanit. / Shekulli/

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)