Kryeministri Edi Rama tha se qeveria do të ketë një rol aktiv në mbështetjen e bizneseve që aplikojnë për financim përmes programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke theksuar se Ministria e Ekonomisë do të ndërhyjë kur aplikimet hasin vështirësi në raport me bankat.

Sipas Ramës, raporti me bankat është shpesh i vështirë, veçanërisht për bizneset e bujqësisë, ndaj ministria do të jetë ndërmjetëse dhe garantuese gjatë procesit të aplikimit. Ai tha se, kur një kërkesë për financim kthehet nga banka, ministria do ta mbështesë dhe do të këmbëngulë që projekti të marrë financimin.

Kryeministri shtoi se për investimet në fshat, programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” mund të kombinohet me skemat e AZHBR-së, për t'u dhënë sipërmarrjeve më shumë mundësi financimi.

“Ky program është konceptuar për t’ju mbështetur ju, por qeveria e konsideron si program të vetin. Ministria e Ekonomisë është në anën tuaj. Raporti me bankat është nganjëherë shumë i vështirë për bizneset e bujqësisë, ndaj ministria do të jetë ndërmjetësi dhe garantuesi juaj. Pra, kur një aplikim mund të kthehet për një arsye apo një tjetër, ministria është aty për ta mbështetur, për ta argumentuar dhe për të këmbëngulur që ai të financohet. Kur vjen puna te investimet në fshat, që ne jemi të interesuar t’i nxisim, përveç programit ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’, kemi edhe programin e AZHBR-së, ndaj mund t’i kombinojmë të dyja. Të jeni të sigurt që nuk jeni vetëm në këtë marrëdhënie. Edhe programi që kishim më parë e kishte këtë problem. Në këtë program, mes individit dhe bankës është edhe qeveria" tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Interes i lartë për skemën 'Dyfisho Sipërmarrjen Tënde', Rama: 400 biznese në proces, janë miratuar 32 kredi me vlerë 5 milionë euro