Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, një marrëdhënie që tashmë duket se bazohet mbi mosbesimin e ndërsjellë. Dy aleatët historikë, të përfshirë në fushatën ushtarake kundër Iranit, po kalojnë një periudhë distance të papritur dhe dyshimesh në rritje, siç tregojnë raportet e fundit të inteligjencës që janë nxjerrë në media nga disa zyrtarë amerikanë. Dhe kjo sigurisht nuk ka ndodhur rastësisht.
Shërbimet sekrete amerikane – shkruan gazeta The New York Times – janë të shqetësuara nga agresiviteti në rritje i agjencive izraelite të kundërspiunazhit, të cilat po përpiqen të përgjojnë Steve Witkoff, njeriun që në emër të Donald Trump po zhvillon aktualisht negociatat me regjimin e Teheranit.
Por ai nuk është i vetmi objektiv i agjentëve të inteligjencës izraelite, e cila përfshin Mossad, Shin Bet dhe Aman. Vëmendja është përqendruar gjithashtu te zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, një nga figurat më të rëndësishme politike të Pentagonit, si dhe te një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Michael P. Dimino IV.
Edhe rrjeti televiziv NBC News publikoi një informacion të ngjashëm. Sipas tij, për të kundërshtuar aktivitetet e ndërhyrjes dhe mbikëqyrjes së aleatit izraelit, të cilat janë shtuar që kur SHBA-ja dhe Irani kanë nisur bisedimet për përfundimin e konfliktit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes e Pentagonit (DIA) e ka ngritur nivelin e kërcënimit të kundërspiunazhit që vjen nga Izraeli nga “i lartë” në “kritik”.
Sipas NBC-së, duke cituar dy zyrtarë aktualë dhe një ish-zyrtar të qeverisë amerikane, niveli i shqetësimit ndaj Izraelit tani është më i lartë se ai që u atribuohet çdo aleati tjetër të Shteteve të Bashkuara. Vetëm Koreja e Jugut, e klasifikuar si vend me rrezik të lartë, i afrohet nivelit të alarmit që po shkaktojnë aktualisht “interesimet” e shtetit izraelit për të siguruar informacione taktike dhe operative mbi strategjinë e Trumpit dhe ndryshimet e qëndrimit të tij gjatë bisedimeve të paqes.
Raporti shtatëfaqësh i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, për të cilin ka raportuar NBC, është hartuar pasi personeli amerikan i mbrojtjes në Izrael zbuloi se në telefonat e tyre ishte instaluar një program për përgjimin e komunikimeve.
Ambasada izraelite në Uashington i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar ato “plotësisht të pavërteta”. Në një deklaratë të publikuar nga gazeta Haaretz, ambasada thekson se Izraeli “nuk zhvillon operacione mbledhjeje informacioni kundër SHBA-së” dhe se aktivitetet e tij të inteligjencës “janë të drejtuara ekskluzivisht ndaj aktorëve armiqësorë”. Sipas saj, akuzat mbështeten në informacione të pasakta ose motive politike.
Edhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes refuzoi të komentojë, ndërsa një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti, mbështeti qëndrimin e ambasadës izraelite dhe i cilësoi raportimet mediatike si të rreme.
Megjithatë, përtej mohimeve zyrtare të nevojshme për të shmangur një krizë diplomatike, mbetet fakt se SHBA-ja dhe Izraeli prej kohësh monitorojnë njëri-tjetrin përmes shërbimeve të tyre të kundërspiunazhit. Kjo është një praktikë e njohur dhe e toleruar. Aq sa personeli amerikan zakonisht mbron telefonat dhe pajisjet elektronike, sidomos gjatë vizitave zyrtare.
Bashkëpunimi mes dy ushtrive mbetet shumë i ngushtë. Në qytetin Kiryat Gat, në jug të Izraelit, ato ndajnë të njëjtën qendër koordinimi civil-ushtarak, megjithëse operojnë në kate të ndryshme.
Incidentet e kundërspiunazhit u shtuan në fund të vitit 2024, kur administrata e Joe Biden ushtronte presion ndaj Benjamin Netanyahu për të kufizuar sulmet në Gaza. Ato vazhduan edhe gjatë vitit 2025, kur Trump po vlerësonte opsionet për një sulm ndaj Iranit.
Tani, megjithatë, sipas raportimeve, duket se është kapërcyer një vijë e kuqe në marrëdhëniet mes dy aleatëve historikë./ La Repubblica
Komente









