Pasi Federata Shqiptare e Volejbollit tha se rasti i Nayara Ferreira po përdoret dhe se Dinamo do përfundojë në Disiplinë për deklaratat publike në lidhje me rastin e volejbollistes 32-vjeçare, klubi "Blu" i ka renditur FSHV-së shkeljet.

Dinamo e quan absurde kërkimin e vërtetimit të gjinisë nga volejbollistja, duke thënë se diçka e tillë cënon dinjitetin njerëzor, për më tepër ku Nayara Ferreira ka qënë pjesë e shumë klubeve në Evropë dhe e regjistruar në organizatat ndërkombëtare të sportit.

Gjithashtu Dinamo i kujton FSHV-së se kjo kërkesë është në shkelje të ligjit dhe nuk është në asnjë statut, duke shkelur privatësinë e sportistes. Dinamo vijon duke thënë se kjo kërkesë do hapte një precedent të rrezikshëm.

Kujtojmë se pak ditë më parë në Shqipëri bëri bujë lajmi se volejbollistja e Dinamos, braziliania Nayara Ferreira ishte pezulluar dhe nga ana e Federatës Shqiptare të Volejbollit ishte kërkuar që ajo t'i nënshtrohej një 'test gjinie', pas ankesës së Vllaznisë dhe Pogradecit. Dinamo i quan 'thashetheme që kërkojnë të dëmtojnë klubin'.

Reagimi i plotë i Dinamos së volejbollit:

Klubi Dinamo shpreh mirënjohje për solidaritetin e gjerë të treguar nga media, sportistët, organizatat dhe opinioni publik, përballë vendimit të Federatës Shqiptare të Volejbollit që pezullon një sportiste të klubit tonë nëse ajo nuk kryen analiza për të “vertetuar” se ‘ajo është ajo’ pra gjininë e saj — një kërkesë absurde dhe cënuese ndaj dinjitetit të një lojtareje me karrierë 15-vjeçare ndërkombëtare, të federuar zyrtarisht nga FIVB dhe pjesëmarrëse në kampionate të njohura në Evropë, Amerikë, Bashkimin Europian dhe madje edhe në vendet e Lindjes së Mesme.

Ky reagim i gjerë publik nuk ishte thjesht shprehje empatie, por një qëndrim i fortë ndaj një veprimi që cënon dinjitetin njerëzor dhe parimet themelore të sportit.

Jemi njohur me deklaratën më të fundit të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), e cila njofton se disponon dokumentacionin dhe korrespondencën përkatëse me klubin Dinamo Volley, është në pritje të “përmbushjes së detyrimeve ndaj komunitetit të volejbollit”, se ka ndjekur “me rreptësi procedurat ligjore dhe statutore”, në bashkëpunim me KOKSH, FIVB dhe CEV dhe se ka referuar në Komisionin e Disiplinës “rastet e fyerjeve dhe intimidimeve publike nga disa eksponentë të Dinamo Volley”

Klubi Dinamo ka respekt të plotë për proceset dhe rregulloret e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe mbetet i përkushtuar ndaj zbatimit të standardeve ndërkombëtare të sportit.

Në këtë frymë, në korrespondencën zyrtare me FSHV-në, duke kërkuar reflektim nga FSHV kemi shprehur në mënyrë të argumentuar qëndrimin tonë se veprimet dhe vendimet e ndërmarra lidhur me rastin në fjalë:

janë të pabazuara ligjërisht dhe tejkalojnë kompetencat statutore të Bordit të FSHV-së;

janë marrë në shkelje të procedurave, pa garanci për konfidencialitetin dhe privatësinë e sportistes;

cenojnë dinjitetin dhe integritetin personal të sportistes dhe të klubit;

mbështeten në një arsyetim të papranueshëm, sipas të cilit, për shkak se kampionatet ndahen në “meshkuj” dhe “femra”, federata mund të urdhërojë analiza për përcaktimin e gjinisë;

egjitimojnë një praktikë të papranueshme, si moralisht ashtu edhe ligjërisht: hetimin e një sportisteje për “verifikim gjinor” mbi bazë thashethemesh, në funksion të një qëllimi të dukshëm për ta dekurajuar sportisten dhe dëmtuar klubin Dinamo;

dhe nxisin gjuhën e përjashtimit e të urrejtjes në sport.

Klubi Dinamo e jo vetëm, pret reflektim nga FSHV për gjithë sa më sipër - ndërsa mbetet e paqartë se ‘kush dhe cfarë’ janë “detyrimet ndaj komunitetit të volejbollit”, për përmbushjen e të cilave, FSHV ka deklaruar, se është në pritje.

Klubi Dinamo shpreh vlerësim për angazhimin publik të FSHV-së, e cila në deklaratën e saj thekson se “do të veprojë me transparencë të plotë në çdo hap të ndërmarrë gjatë këtij procesi”.

Besojmë dhe shpresojmë që ky zotim të materializohet në vijim, si mënyra më e mirë për të rikuperuar mungesat e deritanishme të transparencës dhe shkeljet e rënda që kanë shoqëruar trajtimin e këtij rasti.

Në këtë kuadër jemi besim plotë që FSHV do të realizojë transparencën publike që ajo vetë ka premtuar sipas deklaratës, duke bërë të ditur konkretisht bashkëpunimin që ka patur me KOKSH dhe FIVB lidhur me këtë rast.

Sa i përket FIVB, klubi Dinamo është informuar se FIVB nuk ka juridiksion mbi kampionatet kombëtare, ndërsa në lidhje me KOKSH, besojmë se çështja është trajtuar pasi është zgjidhur konflikti i interesit që buron nga fakti se kreu i FSHV-së mban njëkohësisht edhe detyrën e Zëvendëpresidentit të KOKSH.

Klubi Dinamo deklaron se nuk ka asnjë dijeni për rastet e “fyerjeve dhe intimidimeve publike” të përmendura nga FSHV, por thekson se distancohet nga çdo sjellje apo komunikim jo etik.

Në të njëjtën kohë, klubi vlerëson çdo zë publik që ngre shqetësim për mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe integritetit të sportistëve në vendin tonë.

Ne e njohim rolin ligjor të FSHV si organ përgjegjës për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e volejbollit në Shqipëri, dhe shpresojmë që ky rol të ushtrohet nga FSHV me përgjegjësi, transparencë dhe respekt të plotë për standardet ndërkombëtare dhe për të drejtat e çdo sportisteje.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?