Volejbolli shqiptar është hasur këto ditë me një ngjarje të padëgjuar më parë. Volejbollistja e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar përkohësisht nga Federata pasi ka pasur ankesa për të nga klubet e Vllaznisë dhe Pogradecit në lidhje me gjininë e saj. Report Tv mëson se sinjalizimet nga rivalët kanë bërë që klubit të Dinamos t'i kërkohet që të kryejë një 'test gjinie' për 32-vjeçaren.
Duket se braziliania nuk e ka pritur mirë këtë ndodhi, por së bashku me klubin i është drejtuar gjinekologut. FSHV kërkon teste më të thelluara për të parë nëse më herët kemi të bëjmë me një ndërrim gjinie nga Nayara. Burime të Report Tv brenda klubit të Dinamos, sipas gazetarit Ernest Koçi, thonë se volejbollistja braziliane është ankuar për diskriminim në shoqata për mbrojtjen e grave, por edhe te Ambasada Braziliane në Tiranë, pasi ndjehet e fyer. Klubi kryeqytetas beson se Ferreira është paragjykuar për shkak të stilit të veshjes, ndërsa karriera e saj 15-vjeçare si volejbolliste profesioniste nuk lë vend për dyshime.
Dinamo e ka quajtur këtë akt si 'cënim i dinjitetit njerëzor', por fakt është se deri në këto momente Nayara Ferreira është e pezulluar. Edhe në ndeshjen e fituar dje nga Dinamo kundër Tiranës, Nayara Ferreira nuk ishte e gatshme.
Te klubi i Dinamos mendojnë se pezullimi është i padrejtë, pasi është bërë në bazë të dyshimeve, ndërsa Report Tv kontaktoi edhe me Federatën Shqiptare të Volejbollit (FSHV), që konfirmoi se vendimi do të qëndrojë i tillë deri në momentin që dalin përgjigjet e 'testit të gjinisë'.
Nëse shohim CV e saj, Nayara Ferreira ka qenë pjesë e klubeve të volejbollit si BMB/Mackenzie, San Bernardo, Sesi, Pinheiros në Brazil, apo Gran Canaria Spanjë, Kravole Pole Çeki, LP Vampula në Finlandë, Vitoria dhe Kairos në Portugali apo Al Ahly dhe Alula në Arabinë Saudite.
Këtë sezon Nayara Ferreira kaloi te Dinamo dhe në përvojën e parë në vendin tonë është hasur me diçka që nuk e ka ndeshur në shtetet ku ka qenë aktivizuar më parë.
Volejbollistja e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) pasi klubet e Vllaznisë dhe Pogradecit ishin ankuar lidhur me gjininë e saj. Diçka e tillë është e pazakontë në sportin shqiptar, ndaj FSHV vendosi të pezullojë sportisten braziliane dhe t'i kërkojë një 'test gjinie'.
Ky veprim i FSHV është komentuar edhe nga Dinamo e volejbollit që e quan cënim të dinjitetit njerëzor, për brazilianen 32-vjeçare që ka 15 vite karrierë dhe ka luajtur në disa nga vendet e Bashkimit Evropian.
Reagimi i Dinamos së Volejbollit:
Jemi njohur me publikimet e fundit në media, që i referohen vendimit të Federatës Shqiptare të Volejbollit për pezullimin e një prej lojtareve të ekipit tonë dhe kërkesën për zhvillimin e një testi për përcaktimin e gjinisë.
Për transparencë ndaj opinionit publik, konfirmojmë se informacionet janë të vërteta.
Klubi “Dinamo” është dhe mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj zbatimit të rregullave dhe standardeve të sportit, në respekt të parimeve të fair play dhe dinjitetit njerëzor.
Lojtarja në fjalë është sportiste me licencë zyrtare të FIVB, me një karrierë 15-vjeçare ndërkombëtare në disa vende të botës, përfshirë edhe ato të Bashkimit Evropian.
Vendimmarrja e FSHV-së, e cila erdhi krejt befasisht për klubin tonë, nuk është shoqëruar me asnjë sqarim mbi arsyet konkrete apo bazën rregullative që e justifikon një kërkesë të tillë të pazakontë , pra mbi bazën faktike apo provat që mund të justifikonin një ndërhyrje kaq të ndjeshme ndaj një sportisteje.
Në mungesë të çdo elementi konkret apo procedure të përcaktuar në aktet rregullative, kërkesa për t’iu nënshtruar një testi të tillë – që prek drejtpërdrejt dinjitetin dhe integritetin personal të lojtareve – lë hapësirë për shumë paqartësi mbi mënyrën se si është trajtuar kjo çështje dhe mbi standardet që duhen respektuar në sportin modern por edhe shton nevojën për reflektim mbi mënyrën se si duhen trajtuar raste ne vijimesi.
Pavarësisht kësaj, Klubi Dinamo ka treguar angazhim të plotë institucional për të bashkëpunuar me FSHV-në dhe për të trajtuar rastin në mënyrë korrekte e të matur. Rasti ka padyshim një ndjeshmëri të lartë njerëzore dhe profesionale, pasi prek dinjitetin e një sportisteje që ka përfaqësuar me sportin ndërkombëtar për shumë vite.
Në sport, si në çdo fushë tjetër, transparenca, drejtësia dhe respekti ndaj individit janë themeli i çdo suksesi.
Dinamo do të vazhdojë të mbrojë këto vlera, duke qëndruar në anën e së drejtës, të sportit dhe të dinjitetit njerëzor.
Sporti duhet të bashkojë, jo të poshtërojë. Ne do të vazhdojmë të besojmë te vlerat që e bëjnë volejbollin dhe çdo sport një fushë të ndershme loje.
Volejbollistja braziliane e Dinamos, Nayara Ferreira, ka trazuar sportin shqiptar pasi ankesat e klubeve të Vllaznisë dhe Pogradecit kanë çuar në pezullimin e saj. Federata Shqiptare e Volejbollit ka kërkuar nga klubi i Dinamos një 'test gjinie' për 32-vjeçaren.
Ndërkohë, në një reagim të FSHV-së thuhet se FSHV 'mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit'.
Interesant është fakti se në njoftim, Federata e quan volejbollisten 'zonja (znj)', duke u munduar mos jetë diskriminuese me një rast shumë delikat për dinjitetin njerëzor.
Njoftimi i plotë i FSHV-së:
Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV)
Në lidhje me informacionet e publikuara në media lidhur me pezullimin e lojtares së ekipit të Dinamos, znj. Nayara Ferreira, Federata Shqiptare e Volejbollit dëshiron të sqarojë se aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar për të ndarë në këtë moment.
FSHV po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e fair play-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor. Federata mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, publiku dhe media do të informohen përmes kanaleve zyrtare të FSHV-së.
Federata Shqiptare e Volejbollit
Tiranë, 25.10.2025
Komente









