Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tares, i cili u paraqit sot herët në ambientet e SPAK.
Ai akuzohet për pastrim parash, pasi dyshohet se fshehu në emrin e tij, 2 vila të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një në Dhërmi dhe një në Palasë.
Prokurorët e Posaçëm kanë dyshime se vilat e sekuestruara, Balluku i ka përfituar në mënyrë të paligjshme, përmes favorizimeve në tendera.
Komunikimi i akuzave për Igli Taren vjen pasi ditën e djeshme SPAK i komunikoi akuzat edhe Belinda Ballukut, e cila u mor e pandehur për 5 vepra penale.
Belinda Balluku do të duhet të përgjigjet para drejtësisë për 15 episode krimesh të rënda, që nisin nga shkelja në 9 tendera e deri te korrupsioni e pastrimi i parave.
Nëntë tenderat e paracaktuar kapin vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove, ku përfshihet ati i ndërtimit të Tunelit të Llogorasë që me kursin e sotëm është 200 mln euro, 7 lotët e Unazës së Madhe të Tiranës, dhe së fundmi ai i bërë që në kohën kur Belinda Balluku ishte drejtoreshë në Albcontrol, kur e paracaktoi fituesin që bëri punimet 1.1 mln euro në godinën teknologjike të këtij institucioni.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento