Budapesti është futur në një tjetër stuhi politike. Kryeministri Viktor Orban ka urdhëruar hetim urgjent pasi pretendon se ministri i Jashtëm është përgjuar, në një moment delikat pak para zgjedhjeve të 12 prillit.

Sipas Orban, bëhet fjalë për një çështje serioze sigurie. “Ka prova që ministri i Jashtëm është përgjuar dhe kemi indicie se kush mund të jetë pas kësaj. Duhet hetuar menjëherë”, u shpreh ai.

Në qendër të skandalit është Peter Szijjarto. Një raport i publikuar nga The Washington Post pretendon se ai ka informuar rregullisht Moskën për diskutimet brenda Bashkimit Europian, duke i dhënë homologut rus Sergei Lavrov “raporte live” gjatë takimeve.

Szijjarto i hodhi poshtë menjëherë këto pretendime, duke i quajtur “fake news”. Por situata u komplikua edhe më shumë kur një media hungareze publikoi një audio ku një gazetar investigativ flet për ndarjen e numrave të telefonit të ministrit me një shërbim të huaj.

Gazetari konfirmoi se biseda është reale dhe tha se po hetonte transferimin e mundshëm të informacionit drejt Rusisë, një çështje që, sipas tij, “nuk do t’u pëlqente autoriteteve”.

Ndërkohë, edhe nga Brukseli ka shqetësim. Një zëdhënës i Komisionit Europian tha se këto informacione janë serioze dhe kërkojnë sqarime nga Hungaria.

E gjitha kjo vjen në një moment kritik për Orban. Pas 16 vitesh në pushtet, ai përballet me garën më të fortë elektorale, ndërsa opozita po kryeson sondazhet.

Në sfond mbetet edhe raporti i tij i afërt me presidentin rus Vladimir Putin. Orban ka mbajtur linjë të butë ndaj Moskës edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke ruajtur varësinë nga nafta dhe gazi rus.

Madje, vetëm javën e kaluar, ai bllokoi një kredi të BE-së për Ukrainën, duke shtuar edhe më shumë tensionet me partnerët europianë.