Efektivi i policisë Leonard Xhamollari, i cili dyshohet se të premten u bë pjesë e konfliktit në Shkallnur të Durrësit, mohon të ketë lidhje me Denis Tafilin, i shumëkërkuar nga SPAK si pjesë e grupit të Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës.
Polici është ndihmës specialist në sallën e komandimit të Policisë së Durrësit, ndërsa pas ngjarjes Agjencia e Mbikëqyrjes policore i sekuestroi armën e shërbimit. Ndryshe ka pretenduar në dëshminë e tij para hetuesve, Edison Gjuzi, personi i dhunuar me qytën e pistoletës nga Tafili. Ai ka dëshmuar se e ka parë efektivin Xhamollari disa herë nën shoqërinë e Tafilit dhe personit të tretë që e dhunuan.
Dy dëshmitë janë të kundërta me njëra-tjetrën, ndaj AMP po verifikon në detaje ngjarjen, përfshirë edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të parë në çfarë kushtesh paraqitet polici. Nëse vërtetohet se ai ka ndihmuar Tafilin dhe personin tjetër për të dhunuar Edison Gjuzin, siç paraprakisht dyshohet, pozita e tij para ligjit rëndohet ndjeshëm, një efektiv policie nën shoqërinë e një të shumëkërkuari të kërkuar nga SPAK.
Konflikti nisi rreth orës 15:00, kur dyshohet se Gjuzi u qëllua nga Denis Tafili dhe një tjetër 27-vjeçar, të dy nga Shkallnuri. Menjëherë më pas u larguan me një makinë. Pavarësisht postblloqeve të ngritura nga policia, dyshja nuk është arritur të kapet.
Në maj të këtij viti SPAK mbylli hetimet për grupin e Elvis Doçit, pjesë e të cilit është vetë Tafili, i shpallur në kërkim me masë sigurie “arrest në burg”. Grupi u godit një vit më parë falë operacionit të përbashkët me autoritetet italiane, “Ura”. Ndaj 24 anëtarëve të grupit rëndojnë akuzat për trafik ndërkombëtar kokaine, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Gjatë ekzekutimit të operacionit u sekuestruan edhe 4 milionë euro CASH dhe 12 milionë euro pasuri, kryesisht prona. Në sekuestro u vendosën 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci imobiliare, 1 televizion në Vlorë, të dyshuara se ishin financuar nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ndërkohë, në vendin fqinj sekuestruan 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare e 3 makina.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente

