Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës ndaj kreut të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, ndaj të cilit SPAK i ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Ashtu sikurse në seancën e kaluar, Prokuroria e Posaçme edhe këtë të martë ka vijuar me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur në këtë proces.

Shkreli dyshohet se ishte i angazhuar në zgjedhjet e majit 2025 për të ndërtuar linjën elektrike në fshatin Stajkë, në këmbim të votës së banorëve të Partinë Socialdemokrate.

Këtë të martë i pari u paraqit Frano Dajani, kryeplak i fshatit Stajkë. Mbi këto pretendime, ai tha se nuk është në dijeni të një vepre të tillë.

Dajani: Jam banor i fshatit Stajkë. Nuk jam në dijeni të ndonjë remonti të ndërtuar. Unë jam kryeplak i fshatit. Di që ajo zonë ka qenë me probleme dhe më kanë thirrur disa herë. Kanë qenë me shtylla druri. Investimin nuk e di kush e ka bërë. Sajmir Zaganin e njoh, di që është përgjegjës në KESH. E kam ngritur disa herë te ky person problemin. E kemi biseduar disa herë nëpër mbledhje për problemin që kishte fshati Stajkë.

Dëshmitari tjetër ishte Marsel Gjonaj, punonjës i sektorit juridik në Bashkinë Vau i Dejës.

Gjonaj: Jam specialist te sektori i prokurimeve në Bashkinë Vau i Dejës. Unë e di që është bërë nga OSHEE Vau i Dejës. Është bërë në fshatin Stajkë. Ka diku 1 vit e gjysmë që është bërë. Babi ka një makinë me kosh dhe e marrin elektricistët e zonës dhe shkon i ndihmon. Frrok Markun e njoh, është elektricist i zonës. Kristian Shkreli nuk më ka marrë në telefon dhe s’më ka kërkuar asnjë ndihmë për makinën.

Dëshmi para togave të zeza dhe edhe Gjergj Gjonaj, personi që ka makinën me kosh që thuhet se i është vënë në ndihmë elektricistëve.

Gjergj Gjonaj: Unë kam punuar elektricist. Unë kam një makinë me kosh. Kishin shtrirë një linjë elektrike dhe më kanë marrë në telefon dhe shkova i ndihmoj. Kam punuar 1 ditë, 3-4 orë. Unë kam punuar me vinç. Mua më ka marrë në telefon Frrok Marku, kam shkuar me e ndihmu. Me Kristian Shkrelin nuk e kam takuar as nuk kam folur me të. Mua vetëm më ka thënë kolegu hajde me ndihmu.

Seanca e radhës u shty për më datën 26 maj, ora 14:00, për t'u pyetur edhe 3 dëshmitarë.