Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë euro në pronësi të një personi, i cili dyshohet se ka përvetësuar përmes mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e ish-Fabrikës së Miellit nr. 1 në qytetin e Vlorës.

Sipas hetimeve të nisura pas kallëzimit të tre shtetasve, personi nën hetim dyshohet se e ka regjistruar pronën në emrin e tij, në vend që ajo të figurojë si aset i shoqërisë tregtare që duhet ta zotëronte ligjërisht.

Ky veprim dyshohet se ka cenuar interesat pasurore të ortakëve të tjerë të kompanisë, duke i privuar ata nga të drejtat mbi një pasuri me vlerë të konsiderueshme ekonomike.

Por hetimet nuk janë ndalur vetëm te përvetësimi i pronës, pasi Prokuroria dyshon se G.V. ka vijuar edhe me tjetërsimin e një pjese të pasurisë te dy shtetas të tjerë, pra duke e regjistruar në emër të tyre.

Këto transaksione dyshohet se janë kryer me qëllim fshehjen ose tjetërsimin e produkteve të veprimtarisë së paligjshme, duke ngritur dyshime edhe për pastrim parash.

Për këtë çështje është regjistruar procedimi penal dhe personi i sipërpërmendur po hetohet për “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Me kërkesë të organit të akuzës, gjykata ka vendosur sekuestron preventive mbi tetë pasuri të paluajtshme në Vlorë, përfshirë ndërtesa, njësi tregtare, truall dhe ambiente të lidhura me kompleksin e ish-Fabrikës së Miellit.

Në mesin e pronave të sekuestruara janë një ndërtesë me sipërfaqe 950 metra katrorë, një njësi prej 923 metrash katrorë dhe dy sipërfaqe trualli prej 2.832 dhe 10.500 metrash katrorë, të regjistruara në emër të G.V. Gjithashtu, masa e sekuestros ka përfshirë edhe prona të regjistruara në emër të K.B. dhe Xh.Ç., mes tyre një truall prej 2.172 metrash katrorë, dy depo me sipërfaqe 1.263 metra katrorë dhe ambiente të tjera të lidhura me pronën.

Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara përllogaritet në rreth 7.5 milionë euro, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht mënyrën e përvetësimit dhe tjetërsimit të pronës.