VLORË- Ish-Fabrika e Miellit në Vlorë është sekuestruar nga prokuroria. Në hetim është aksioneri Gëzim Veliu, i cili dyshohet se ka përvetësuar objektin dhe truallin e fabrikës, duke i regjistruar në emrin e tij dhe jo si pasuri të shoqërisë.
Hetimet nisën një vit më parë pas kallëzimit të ortakëve të tjerë të shoqërisë, Aleks Camandoti, Andrea Camandoti, Gëzim Zenaj dhe Vangjel Qirushi.
Dyshohet se Veliu ka shfrytëzuar besimin e ortakëve për të marrë në pronësi objektin dhe truallin, duke cenuar interesat e tyre pasurore. Madje një pjesë të pasurisë e ka kaluar tek dy persona të tjerë që nuk ishin pjesë e shoqërisë.
Në total janë 8 pasuri të sekuestruara, me vlerë rreth 7.5 milionë euro.
Bëhet fjalë për ndërtesat që shihni në pamje, me sipërfaqe të përgjithshme 1,873 metra katrorë, si dhe dy parcela trualli me sipërfaqe mbi 13 mijë metra katrorë. Këto pasuri rezultojnë të regjistruara në emër të Gëzim Veliut.
Ndërsa në emër të Kosta Billës rezulton një truall prej 2,172 metra katrorë, pjesë e ish-fabrikës si dhe dy depo me sipërfaqe të përgjithshme 1,263 metra katrorë.
Në emër të Xhezmi Çeloaliajt është regjistruar një pjesë e depos së grurit, me sipërfaqe 127 metra katrorë dhe një sipërfaqe trualli 25 metra katrorë.
Sipas Prokurorisë, sekuestrimi synon të parandalojë tjetersimin e mëtejshem te pasurise, ndërsa hetimet ndaj Gëzim Veliut vijojnë me dy akuza “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Ndërkohë, ortakët që kanë bërë kallëzimin kërkojne të njihen si bashkëpronarë dhe të përfitojnë të ardhurat e krijuara nga përdorimi i saj ndër vite.
Njoftimi i Prokurorisë së Vlorës:
Dyshime për përvetësimin nëpërmjet mashtrimit të Fabrikës së Miellit, Prokuroria e Vlorës sekuestron 7.5. milionë euro pasuri të shtetasit G.V.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u sekuestruan prona me vlerë 7.5 milionë euro të shtetasit G.V., i akuzuar për veprat penale ‘Mashtrimi me pasoja të rënda’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ parashikuar nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1748, datë 28.11.2025, të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasve A.C., V.Q., G.Z., rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim G.V. ka përvetësuar përmes shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme "Fabrika e Miellit nr.1" në Vlorë, duke e regjistruar atë si të vetën dhe jo si aset të shoqërisë "P....." sh.p.k. Kësisoj, nga ky përvetësim i paligjshëm, personi nën hetim G.V. ka cenuar interesat pasurore te ortakëve të tjerë të shoqërisë "P....." sh.p.k. shtetasve A.C, G.Z dhe V.Q.
Në vijim, rezultoi e provuar se personi nën hetim G.V. ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë së paluajtshme tek shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., duke u dyshuar se ka konsumuar edhe elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" e parashikuar nga neni 287, pika 1, germa a) të Kodit Penal.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento