Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë euro në pronësi të një personi, i cili dyshohet se ka përvetësuar përmes mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e ish-Fabrikës së Miellit nr. 1 në qytetin e Vlorës.
Sipas hetimeve të nisura pas kallëzimit të tre shtetasve, personi nën hetim dyshohet se e ka regjistruar pronën në emrin e tij, në vend që ajo të figurojë si aset i shoqërisë tregtare që duhet ta zotëronte ligjërisht.
Ky veprim dyshohet se ka cenuar interesat pasurore të ortakëve të tjerë të kompanisë, duke i privuar ata nga të drejtat mbi një pasuri me vlerë të konsiderueshme ekonomike.
Por hetimet nuk janë ndalur vetëm te përvetësimi i pronës, pasi Prokuroria dyshon se G.V. ka vijuar edhe me tjetërsimin e një pjese të pasurisë te dy shtetas të tjerë, pra duke e regjistruar në emër të tyre.
Këto transaksione dyshohet se janë kryer me qëllim fshehjen ose tjetërsimin e produkteve të veprimtarisë së paligjshme, duke ngritur dyshime edhe për pastrim parash.
Për këtë çështje është regjistruar procedimi penal dhe personi i sipërpërmendur po hetohet për “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Me kërkesë të organit të akuzës, gjykata ka vendosur sekuestron preventive mbi tetë pasuri të paluajtshme në Vlorë, përfshirë ndërtesa, njësi tregtare, truall dhe ambiente të lidhura me kompleksin e ish-Fabrikës së Miellit.
Në mesin e pronave të sekuestruara janë një ndërtesë me sipërfaqe 950 metra katrorë, një njësi prej 923 metrash katrorë dhe dy sipërfaqe trualli prej 2.832 dhe 10.500 metrash katrorë, të regjistruara në emër të G.V. Gjithashtu, masa e sekuestros ka përfshirë edhe prona të regjistruara në emër të K.B. dhe Xh.Ç., mes tyre një truall prej 2.172 metrash katrorë, dy depo me sipërfaqe 1.263 metra katrorë dhe ambiente të tjera të lidhura me pronën.
Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara përllogaritet në rreth 7.5 milionë euro, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht mënyrën e përvetësimit dhe tjetërsimit të pronës.
Njoftimi i Prokurorisë së Vlorës:
Dyshime për përvetësimin nëpërmjet mashtrimit të Fabrikës së Miellit, Prokuroria e Vlorës sekuestron 7.5. milionë euro pasuri të shtetasit G.V.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u sekuestruan prona me vlerë 7.5 milionë euro të shtetasit G.V., i akuzuar për veprat penale ‘Mashtrimi me pasoja të rënda’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ parashikuar nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1748, datë 28.11.2025, të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasve A.C., V.Q., G.Z., rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim G.V. ka përvetësuar përmes shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme "Fabrika e Miellit nr.1" në Vlorë, duke e regjistruar atë si të vetën dhe jo si aset të shoqërisë "P....." sh.p.k. Kësisoj, nga ky përvetësim i paligjshëm, personi nën hetim G.V. ka cenuar interesat pasurore te ortakëve të tjerë të shoqërisë "P....." sh.p.k. shtetasve A.C, G.Z dhe V.Q.
Në vijim, rezultoi e provuar se personi nën hetim G.V. ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë së paluajtshme tek shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., duke u dyshuar se ka konsumuar edhe elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" e parashikuar nga neni 287, pika 1, germa a) të Kodit Penal.
Për rrjedhojë, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme:
a) Pasurinë e llojit “Ndërtesë” me sip. 950 m² ndodhur Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V;
b) Pasurinë e llojit “Njësi” me sip. 923 m², ndodhur në Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
c) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 2.832 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
d) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 10.500 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
e) Pasurinë e llojit “Truall” me sipërfaqe prej 2.172 m² (pjesë e objektit Fabrika e Miellit), Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.;
f) Pasurinë me nr.4/156 (depo nr. 1, depo nr. 2), me sip.1.263 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.;
g) Pasurinë nr. 4/154+1- 2/1 (një pjesë të katit të dytë të depos së grurit) me sip.127 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.; dhe
h) Pasurinë me nr. 4/158 (një pjesë trualli) me sip.25 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.











Komente
Komento