Të pavërteta i ka cilësuar presidenca akuzat e kryeministrit Edi Rama se Ilir Meta ka bllokuar projektet në Vlorë.
Me anë të një dokumenti të publikuar mbrëmjen e kësaj të hëne, sipas Presidencës, Meta jo vetëm nuk ka bllokuar punimet, por " ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë". Sipas tyre, Rama ka kryer shkelje të rënda në këtë marrëveshje dhe kërkon që të përfshijë edhe presidentin Ilir Meta.
Edhe nëse ka patur një proces negocimi për këtë marrëveshje, siç pretendon Kryeministri, ky proces negocimi është kryer në shkelje të rëndë të Kushtetutës, dhe ligjit nr. 43/2016, i cili kërkon në mënyrë të detyrueshme që për nisjen e procesit të negocimit, duhet patjetër Autorizim nga Presidenti i Republikës. Edhe pas kërkesave të përsëritura zyrtare të Kreut të Shtetit, edhe sot nuk ka një kërkesë për negocimin e kushteve të një marrëveshje të re financimi, por vetëm një kërkesë të pajustifikuar ligjërisht, për të kaluar direkt në nënshkrimin e një marrëveshje huaje, pa negociuar më parë kushtet në të cilën kjo hua merret nga shteti shqiptar. 8 Përmes kësaj kërkese, qeveria dhe Kryeministri kërkojnë që në shkeljet e rënda të ligjit të përfshijnë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorin edhe në praktika të tjera të ngjashme që qeveria ka në proces", thuhet më tej në përgjigjen e Metës.
Në dokumentin 8 faqesh, Meta ka argumentuar edhe qëndrimin e tij.
Qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent (Presidenti). Pra, ky autorizim duhet të jetë i shprehur në çdo rast si deklarim i vullnetit shtetëror për të hyrë në negociata. Mosmarrja e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës për dhënien e plotfuqisë, sipas ligjit nr. 43/2016, për të hyrë në negociata e bën të pavlefshme gjithë procedurën e negociatave të kryer pa një autorizim të Presidentitt ë Republikës.
Ndërsa projekte të tilla infrastrukturore me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe turizmin në zona të caktuara të vendit, në vend që të ndiqen me transparencë, si për mënyrën e financimit, ashtu dhe për fazën në të cilat ndodhet implementimi i tyre, thjesht anulohen pa asnjë lloj konsultimi dhe fondet planifikohen të transferohen në projekte të tjera, pa dialoguar me banorët e zonës, madje pa i patur ende në dispozicion këto fonde, ndërkohë që të gjitha procedurat për realizimin e këtij projekti, përfshirë dhe ato të marrjes së huasë, janë kryer në shkelje të rëndë të Kushtetuës, ligjit nr. 43/2016, dhe ligjit nr. 9665/2006. Për të riparuar këtë të metë të rëndë të praktikës së ndjekur, është e detyrueshme ashtu siç e kemi cituar prej kohësh, që Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së pari duhet të pajiset me një autorizim për të zhvilluar një proces kushtetues negocimi me fondin Saudit i Zhvillimit, e më pas në përfundim të rezultatit të negocimit dhe pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të kërkojë autorizimin e Presidentit të Republikës, për nënshkrimin e marrëveshjes së huasë. Presidenti i Republikës mbetet në pritje që Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore për lidhjen e kësaj marrëveshjeje", përfundon Meta.
Lajmi kryesor: