Vjosa, lumi më i madh i egër i Evropës, ende përballet me rrezikun e tij më të madh, për shkak të pasigurisë politike dhe lakmisë oportuniste. Përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri, qytetarët, aktivistët dhe konservatorët po kërkojnë mbështetje politike për krijimin e parkut të parë kombëtar të lumit të egër në Evropë, për ta mbrojtur atë përgjithmonë.
Si pjesë e këtij aksioni, sot lançohet filmi “Vjosa Përgjithmonë”, një dokumentar i shkurtër që kërkon nga njerëzit në mbarë botën të bashkohen në luftën për të siguruar të ardhmen e Vjosës.
Për më shumë se 10 vjet, aktivistë vendas, grupe ndërkombëtare, shkencëtarë dhe artistë kanë luftuar kundër ‘cunamit’ të projekteve të hidrocentraleve në Ballkan. Në shtator të vitit 2020, politikanët shqiptarë njoftuan publikisht krijimin e parkut kombëtar të Vjosës, i cili do të mbronte të gjithë luginën bashkë me degët e saj. Sidoqoftë, që nga ajo kohë, qytetarët dhe aktivistët lokalë janë alarmuar gjithnjë e më shumë se, prapa dyerve të mbyllura, po bëhen kompromise dhe në fakt, lumi është në rrezik të vazhdueshëm.
Me zgjedhjet kombëtare në 25 Prill 2021, grupet shqiptare dhe ndërkombëtare të ruajtjes së natyrës si EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur po i bëjnë thirrje politikanëve dhe publikut që të sigurojnë të ardhmen e Vjosës dhe ta bëjnë këtë park kombëtar të lumit të egër një përparësi kryesore për çdo parti fituese. Kërkimet e fundit tregojnë se 94 % e popullit shqiptar është pro krijimit të këtij parku kombëtar të lumit të egër.
Nëse është i suksesshëm, ky do të jetë parku i parë kombëtar i një lumi të egër dhe i pashembullt në Evropë për nga rëndësia dhe vlerat ekologjike. Shpallja park kombëtar do të mbrojë mbi 300 km lumenj dhe përrenj, që strehojnë mbi 1,100 specie, shumë prej të cilave konsiderohen të kërcënuara.
Publikimi i dokumentarit “Vjosa Përgjithmonë” vjen pas filmit dhe fushatës “Zemra Blu” në vitin 2018 që përshkruante luftën për të mbrojtur lumenjtë e egër të Ballkanit - 'Zemra Blu' e Evropës - nga 3,400 projekte të planifikuara nga hidrocentralet që do të shkatërronin kulturën dhe ekologjinë e gjithë këtij rajoni. Brenda Zemrës Blu, Vjosa është ekosistemi lumor më i madh i paprekur.
Dokumentari i shkurtër, prodhuar nga Patagonia, u kërkon qytetarëve të shqetësuar kudo, të tregojnë mbështetjen e tyre për parkun kombëtar të lumit Vjosa dhe të tërheqin vëmendjen ndërkombëtare për katastrofën mjedisore që mund të ndodhë nëse Vjosa mbetet e pambrojtur.
Ryan Gellert, Drejtori i Patagonia Works, thotë: “Aktivizmi i grupeve lokale, të mbështetura nga veprimet ligjore, ka shërbyer për ta vendosur këtë vendim historik në tryezën e diskutimit. Tani është koha që politikanët shqiptarë të bëjnë hapa para. Ata do të bëjnë diçka që nuk është bërë kurrë më parë dhe duke mbrojtur përgjithmonë këtë ekosistem lumor të fundit të paprekur".
Ulrich Eichelmann, Drejtori i Riverwatch, thotë: “Vjosa i mbijetoi për mrekulli dekadave të shkatërrimit në Evropë; është një dhuratë për të gjithë ne. Dhe është një përgjegjësi jo vetëm e shqiptarëve për ta mbrojtur atë, por edhe një përgjegjësi evropiane. Ky park kombëtar do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për ruajtjen e natyrës në Evropë dhe në nivel të BE-së, do të japë një kontribut real dhe domethënës në Strategjinë e Biodiversitetit të BE-së dhe Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së. "
Besjana Guri, oficere e komunikimimit e EcoAlbania thotë: “Ky është një moment që të gjithë qytetarët shqiptarë të ndjehen vërtetë krenarë. Jo vetëm që po mbrojmë vendin, kulturën dhe të ardhmen tonë, por, në Vjosë, kemi një bukuri të çmuar që është e pashembullt në Evropë.”
Annette Spangenberg, Shefe e Njësisë së Projekteve, EuroNatur, thotë: “Vështirë se mund të gjendet një lumë tjetër në Evropë që meriton të jetë një park kombëtar më shumë se Vjosa. Asnjë kategori tjetër e mbrojtjes nuk do të jetë e drejtë për këtë lumë. Një kategori më e dobët që e mban derën të hapur për projekte të mëtejshme të energjisë nuk mund të jetë zgjidhja. "
KUSH PREK VJOSEN ,,,DO VARET ATY...
PërgjigjuIde shume e mire,por i keni bere hesapet me hanxhine(L.Bashen),sepse ai ka ne programin zgjedhor HEC kur te vije ne pushtet,megjithese as nuk ka thene se ku dhe asnje media deri sot nuk e ka pyetur nese pranon qe po te vije ne pushtet,t'a ktheje Vjosen ne park kombetar te paprekshem??!!
Përgjigju