Bashkëpiloti i një avioni të kompanisë Flydubai, i cili dyshohet se tentoi të merrte kontrollin e avionit që udhëtonte drejt Tel Avivit, ka deklaruar para hetuesve se veprimin e ndërmori për të “marrë hak për Gazën” dhe se dëshironte të “vdiste si martir”.

Sipas raportimeve 12, bëhet fjalë për Hamam Al-Hammami, një shtetas omanitas dhe oficer i parë në Boeing 737 MAX.

Autoritetet po hetojnë nëse Al-Hammami ka vepruar i vetëm apo nëse pas tentativës për rrëmbimin e avionit fshihen persona të tjerë ose një organizatë ekstremiste. Në hetime është përfshirë edhe Shin Bet.

Hetuesit kanë marrë në shqyrtim edhe përmbajtjen e telefonit të pilotit, me qëllim gjetjen e të dhënave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e motivit dhe kontakteve të tij.

Sipas mediave të huaja një përfaqësues i Mossad-it ka informuar kabinetin e sigurisë se piloti kishte vizituar gjatë viteve të fundit disa vende që konsiderohen armiqësore ndaj Izraelit. Autoritetet po verifikojnë nëse gjatë këtyre udhëtimeve ai mund të jetë rekrutuar, manipuluar apo përfshirë nga ndonjë organizatë.

Ndërkohë, ekuipazhi i kabinës është marrë në pyetje nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas hetuesve, anëtarët e ekuipazhit ishin të hutuar dhe të çorientuar gjatë incidentit, por nuk kanë qenë të përfshirë në plan dhe nuk dyshohet se kanë pasur rol si bashkëpunëtorë.

Hetimi vijon për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit dhe nëse pas veprimit të pilotit ka pasur një rrjet më të gjerë bashkëpunëtorësh.