Australia, Kanadaja, Italia dhe Britania e Madhe i kanë kërkuar Izraelit të lejojë menjëherë hyrjen e 150 mijë çadrave dhe furnizimeve të tjera jetike në Rripin e Gazës, ndërsa situata humanitare po përkeqësohet për shkak të përmbytjeve dhe afrimit të dimrit.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar më 16 nëntor, ministrat e Jashtëm të katër vendeve e cilësuan situatën në terren si jashtëzakonisht të rëndë, duke theksuar se reshjet e para të sezonit të dimrit kanë shtuar vuajtjet e popullsisë civile.
Sipas deklaratës, rreth 150 mijë çadra dhe furnizime të tjera thelbësore ndodhen në kufi, por ende nuk janë lejuar të hyjnë në Gaza. Katër vendet i kërkojnë Izraelit të ndalë vonesat, të hapë pikat kufitare dhe të garantojë kalimin e menjëhershëm dhe të papenguar të ndihmave.
Përmbytjet e ditëve të fundit kanë dëmtuar tendat ku strehohen familjet e zhvendosura, duke lënë mijëra palestinezë pa kushte të përshtatshme jetese. Ministrat paralajmërojnë se nevoja për strehim dhe furnizime humanitare do të bëhet edhe më urgjente me përkeqësimin e motit.
Në deklaratë, katër qeveritë theksojnë se situata është ende e kthyeshme, nëse ndërmerren veprime të menjëhershme. Ato u bëjnë thirrje gjithashtu të gjitha palëve të respektojnë armëpushimin, të zbatojnë planin gjithëpërfshirës për Gazën dhe detyrimet sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Ndërkohë, Izraeli ka deklaruar se vazhdon të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare në territor, duke pretenduar se ka miratuar mbi 820 kërkesa për furnizime dimërore, një pjesë e të cilave ende nuk janë transportuar në Gaza.






Komente
Komento