Në vijim të hetimeve për këtë ngjarje, policia ka ngritur dyshime mbi vërtetësinë e atyre që ka deklaruar 30-vjeçari i cili ka thënë se i ka blerë të dashurës së tij dhurata në vlerën 60 milionë lekë. Sipas ekspertëve, Ahmeti nuk ka arritur të bindë se vërtetë ka shpenzuar shumën e pretenduar për të cilën ka akuzuar të dashurën e tij virtuale e cila përdorte në Facebook foton e një aktorje latine.
"Ne po bëjmë një mbledhje të shumës së përgjithshme, por vlera e pretenduar nga denoncuesi është jashtë logjike. Kemi dyshime se ai e ka nxjerrë si justifikim ketë, për të mbuluar diçka tjetër. Ndoshta kërkon të justifikojë lekët te vëllezërit dhe familja e tij, ndaj jemi shumë me dyshime në lidhje me këtë ngjarje. Mbase paratë i ka shpenzuar diku tjetër, me baste a gjëra të tilla, dhe kërkon t’i justifikojë me dhuratat që i ka blerë të dashurës. Kjo ngjarje do të hetohet me imtësi, pasi pretendimet e palëve janë kontradiktore në lidhje me shumën e supozuar 60 milionë lekë”, bëjnë të ditur burime pranë policisë.
Bëhet e ditur gjithashtu se në sendet e bllokuara nga policia nuk ka asgjë të kushtueshme që të justifikojë shumën e 60 milionë lekëve të vjetra.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com









