Me afrimin e festës së Pashkës, një nga traditat më të rëndësishme është lyerja e vezëve të kuqe, një ritual me simbolikë të thellë fetare dhe kulturore.
Sipas traditës, vezët lyhen në dy momente kryesore. Në të “Enjten e Madhe”, familjet ngjyrosin një pjesë të vezëve, duke i dedikuar nga një për çdo anëtar të familjes, për persona të afërt, si dhe një vezë për shtëpinë, e cila ruhet për një vit të plotë deri në Pashkën tjetër.
Ndërsa në të “Shtunën e Madhe”, lyhen sërish vezë, këtë herë në sasi më të madhe për konsum familjar dhe për t’u dhuruar.
Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, që në momentin që shpërthen del në dritë. Ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon flijimin dhe në rastin konkret simbolizon flijimin e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Po për vezën e kuqe ekziston dhe një gojëdhënë e Kishës: Kur Maria Magdalena, pas ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen dhe i dha si dhuratë një shportë me vezë të bardha, sipas zakonit të atëhershëm, ai i tha: Sa mund të bëhen të kuqe vezët që solle, aq mund të jetë ngjallur Krishti. Dhe për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe.
Komente










