VLORË - Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne (13 janar 2025) në autostradën Vlorë-Fier, ku një 30-vjeçar është ekzekutuar me pistoletë tip “Glock” përballë një karburanti në afërsi të fshatit Novoselë.

Viktima i identifikuar si Kristian Marku mësohet se po udhëtonte nga Fieri në Vlorë me makinën e tij tip “Passat” me targa “AB 107 PN”, ndërkohë që paralel me të, nga krahu i djathtë i pasagjerit, është afruar një makinë tip “Golf”, nga ku është shtënë disa herë me pistoletë, drej tij. Marku ka marrë në trup dy plumba dhe makina e tij ka ecur për rreth 400 metra nga vendi që është qëlluar, ndërkohë që policia ka gjetur 10 gëzhoja në total.

Gazetari i Report Tv dhe Shqiptarja.com Armand Xhellili, informon se nuk dihet nëse viktima ka humbur jetën në momentin që është qëlluar ndaj tij apo ku makina e tij përplasej me trafik-ndarësen deri sa ka ndaluar. Pasi ndodhi ngjarja është njoftuar policia dhe ambulanca, të cilët e kanë gjetur 30-vjeçarin pa jetë.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se kanë qenë 3 autorë dhe kanë përdorur një makinë tip "Volkswagen Golf", të cilën e kanë djegur rreth 2 kilometra larg vendit të krimit dhe janë ndihmuar nga persona të tjerë për t'u arratisur. Makina e djegur rezulton me targa të vjedhura dhe brenda saj nuk është gjetur arma e krimit. Ata dyshohet se mund të jenë larguar drejt Fierit duke përdorur rrethrrotullimin e Panajasë.

Policia, e cila po heton për të shkuarën e 30-vjeçarit, ka sekuestruar kamerat e sigurisë në bizneset afër zonës ku ka ndodhur ngjarja, si dhe ka shoqëruar për të marrë në pyetje disa persona.

"Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip”, me drejtues shtetasin Kristian Marku, 30 vjeç, i cili ka humbur jetën", njoftoi policia.

Kush ishte Kristian Marku?

Kristian Marku alias Kristi Bardhi është nga Mirdita dhe rezulton të jetë nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen, në shtator të vitit 2023. 30-vjeçari dyshohet të jetë autor në ngjarjen e datës 26.03.2023, rreth orës 19:00, të ndodhur në Rrëshen, Mirditë, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit.

Ai akuzohej për veprat penale "Vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentativë" dhe "Mbajta pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, por nuk u arrit të provohet përfshirja e tij në këtë ngjarje dhe arriti të fitojë lirinë. 

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:24
Atentati në Novoselë, ja momenti kur makina e viktimës largohet nga vendi i ngjarjes (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamje nga makina e viktimës, 30 vjecarit Kristian Marku, i cili u qëllua me pistoletë mbrëmjen e sotme teksa ishte duke lëvizur me mjetin e tij, në autostradën Fier-Vlorë, në afërsi të fshatit Novoselë.

Makina e 30 vjeçarit, i cili u qëllua nga persona që ende janë të paidentifikuar, duket e dëmtuar në pjesën e përparme të saj. 

Ora 20:10
U ekzekutua në Novoselë, Kristian Marku ishte nip i Martin Bardhit të vrarë në shtator 2023 më Rrëshen

Kristian Marku u vra sot në një atentat Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë. Siç bëhet me dije Marku është nipi i Martin Bardhit të vrarë në shtator të vitit 2023, në Rrëshen. 

Martin Bardhi u ekzekutua me armë zjarri paraditen e 26-shtatori 2023 teksa po pinte kafe në lokalin në pronësi të tij në Rrëshen.

Nga breshëria e plumbave mbeten të plagosur dhe tre persona të tjerë të cilët ishin nën shoqërinë e viktimës, ndërsa autoret e ngjarjes ishin dy persona të maskuar të cilët u larguan me një foristradë e cila u gjet e djegur në fshatin Gziq të Mirditës.

Vrasja e Bardhit është dyshuar të ketë lidhje me një konflikt të mundshëm me familjen Reçi, megjithatë të pyetur nga policia këta të fundit e mohuan një lidhje të tillë.

1695740536_martinbardhi.jpg

Martin Bardhi
Ora 20:04
Policia gjen 10 gëzhoja në vendin e ngjarjes, viktima me precedentë për vrasje të mbetur në tentativë

Burime për Report tv bëjnë me dije se ndaj 30 vjeçarit Kristian Marku është qëlluar me pistoletë. Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur 9 gëzhoja në vendngjarje dhe 1 tjetër disa metra më poshtë.

30-vjeçari i vrarë rezulton me origjinë nga Rubiku dhe me precedent penal për "vrasje me dashje ne bashkepunim mbetur ne tentative" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

Ora 19:54
Atentati ndaj 30 vjeçarit, dyshohet se ishin 3 autorë, u larguan drejt Fierit

Detaje të reja kanë dalë, lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e sotme, ku u qëllua me pistoletë në drejtim të makinës se 30 vjeçarit Kristian Marku.

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se autorët, të cilët e kanë zënë në pritë, kanë qenë me një makinë tip "Benz" dhe i janë afruar makinës së 30-vjeçarit duke qëlluar.

Pas vrasjes autorët, të cilët dyshohet se ishin tre, kanë djegur automjetin "Benz" dhe janë ndihmuar nga persona të tjerë për t'u arratisur.

Ata dyshohet se mund të jenë larguar drejt Fierit duke përdorur rrethrrotullimin e Panajasë. 

Ora 19:31
Atentati ndaj 30-vjeçarit në autostradën Fier-Vlorë, makina e autorëve në flakë duke u djegur (VIDEO)

Pas atentatit të ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Fier-Vlorë, ku 30-vjeçari Kristian Marku u ekzekutua teksa ishte duke drejtuar mjetin e tij "Volkswagen", është gjetur edhe një makinë e djegur. 

Report Tv ka siguruar pamjet nga makina që dyshohet e autorëve, pak metra më larg vendit ku ndodhi atentati.