ELBASAN- Pas 9 ditësh është zbuluar dhe është në pranga autori i aksidentit të rëndë të ndodhur më 22 dhjetor në fshatin Vidhas. Pasi përplasi për vdekje me makinë 53-vjeçarin Dalip Xhakoj, i cili ishte duke ecur në këmbë në aksin rrugor Elbasan-Peqin, 33-vjeçari N.K. u largua nga vendngjarja duke e lënë trupin e pa jetë të Xhakoj në rrugë, i cili u gjet më pas nga banorët e zonës.
Mësohet se pas ngjarjes së rëndë, shoferi është larguar menjëherë nga vendngjarja me mjetin tip “BMW X3” që drejtonte. Nuk është e qartë ende nëse 53-vjeçari ka humbur jetën menjëherë në momentin që u përplas nga i riu apo pak kohë më pas, dhe në qoftë se ka ndërruar rrjetë më pas, a mund të arrihej të shpëtohej 53-vjeçari nëse drejtuesi mjetit do të kishte njoftuar menjëherë ambulancën e policinë në vend që të tregonte pa përgjegjshmëri duke u larguar e duke kryer njëkohësisht dhe një krim.
Drejtuesi i mjetit, cili është i arrestuar tashmë, banor i fshatit Papër të Elbasanit akuzohet për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe "Largimi nga vendi i aksidentit". Njëkohësisht, mjeti tij u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.