Një 22-vjeçar është arrestuar nga blutë e komisariatit nr. 5 në lagjen ‘Bathore’ në kryeqytet pasi ka kanosur me armë zjarri një tjetër person, e ka dhunuar dhe i ka përplasur automjetin.
I riu është konfliktuar me 33-vjeçarin për arsye ende të paqarta. 22-vjeçari, i cili drejtonte një ‘Range Rover’, i ka përplasur atij automjetin, ka qëlluar në ajër me armë zjarri si dhe me disa persona të tjerë e ka qëlluar me grushte.
Policia ka sekuestruar ‘Range Rover-in’ e 22-vjeçarit ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e armës me të cilën është qëlluar në ajër. Sakaq, hetimet po vijojnë për ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
“DVP Tiranë
Kanosi me armë zjarri, për motive të dobëta, një 33-vjeçar, dhe i përplasi qëllimisht automjetin, arrestohet 22-vjeçari.
Gjithashtu, i arrestuari dhe shtetas të tjerë, ushtruan dhunë ndaj 33-vjeçarit.
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në lagjen “Bathore”, ndërmjet disa shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 shkuan në vendngjarje, për të identifikuar shtetasit përgjegjës dhe për të sqaruar rrethanat.
Si rezultat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit A. E., 22 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, fillimisht, me automjetin që drejtonte, ka përplasur automjetin që drejtonte shtetasi B. J., 33 vjeç.
Gjithashtu, 22-vjeçari, dyshohet se me qëllim kanosjen e shtetasit B. J., ka qëlluar në ajër, me armë zjarri, dhe më pas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, e ka goditur me grushte.
Automjeti tip “Range Rover” i 22-vjeçarit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë kërkimet për gjetjen e armës që dyshohet se ka përdorur i arrestuari, si dhe vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale për lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente






