Fotografia e tij ishte vendosur mes shumë të tjerave, në një ekspozitë kushtuar ushtarëve të rënë të fshatit. Për familjen dhe komunitetin, Nazar Daletskyi ishte një emër më shumë në listën e të vdekurve të luftës.
Por ai ishte gjallë.
Pas tre vitesh e nëntë muajsh, ushtari ukrainas u lirua në shkëmbimin e fundit të të burgosurve mes Ukrainës dhe Rusisë dhe arriti të telefonojë në shtëpi.
Historia e tij u bë publike nga BBC, e cila publikoi edhe videon e telefonatës me familjen. Në anën tjetër të linjës ishte nëna e tij, Nataliya, e tronditur. Pyetja i doli instinktivisht, si çdo nëne: “A i ke krahët, a i ke këmbët,a i ke të gjitha?”. Pastaj shpërtheu në lot. “Oh bir, të kam pritur kaq gjatë”.
Në sfond dëgjoheshin britma gëzimi të kushërirës së tij, Roksolana.
“E kishim varrosur dhe tani po dëgjoj zërin e tij. A mund ta imagjinoni çfarë ndjen një nënë?”, tregon Nataliya.
Kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, Nazar, atëherë 42 vjeç, u thirr sërish në front. Ai kishte luftuar edhe në vitin 2014. Në maj të atij viti u zhduk. Pak më vonë, nëna mori një telefonatë në rusisht: një burrë i tha se djali ishte kapur rob. Nuk dha asnjë detaj tjetër. Pastaj, heshtje.
Në vitin 2023 erdhi lajmi që i mbylli çdo shpresë. Në një morg u identifikua një trup i djegur rëndë, përmes një kampioni ADN-je të dhënë nga vetë Nataliya. Trupi mendohej se ishte një nga viktimat e gjetura në një autobus të shkrumbuar. Familja e njohu zyrtarisht, organizoi funeralin dhe e qau Nazarin, siç kanë qarë mijëra familje të tjera në këtë luftë.
Në shtatorin e kaluar erdhi një tjetër tronditje. Një ushtar i sapoliruar nga Rusia tha se e kishte parë Nazarin gjallë në burg. Ishte e vështirë të besohej. Vetëm këtë javë erdhi konfirmimi përfundimtar, me telefonatën e papritur të vetë Nazarit, pas lirimit.
Në pritje të takimit të parë pas kaq vitesh, familja ka hequr nga rrjetet sociale fotot e funeralit dhe ka larguar portretin e tij nga ekspozita e kushtuar heronjve të rënë. Ndërkohë, është hapur një hetim për të kuptuar se si mund të ketë ndodhur një gabim kaq i rëndë në identifikimin e trupit./LaRepubblica
Komente








