Real Madridi ka arritur marrëveshjen përfundimtare për transferimin e një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit evropian, Yan Diomande. Klubi spanjoll ka mbyllur negociatat me RB Leipzig për afrimin e sulmuesit anësor nga Bregu i Fildishtë, në një marrëveshje që raportohet të kapë vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Fabrizio Romano, 19-vjeçari ishte objektivi kryesor i madrilenëve në këtë merkato vere. Pas tërheqjes nga pista për Michael Olise të Bayern Munich, Real Madridi e përqendroi vëmendjen te Diomande dhe arriti të mposhtë konkurrencën e klubeve të mëdha si Paris Saint Germain, Manchester City dhe Arsenal.

Diomande vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm me fanellën e RB Leipzig, ku në 46 paraqitje në të gjitha kompeticionet regjistroi 15 gola dhe 11 asistime. Performancat e tij e kanë kthyer në një nga lojtarët më të kërkuar të gjeneratës së re.

Transferimi i tij ka edhe një dimension strategjik për Real Madridin, pasi Diomande dhe ylli brazilian Vinicius Junior përfaqësohen nga e njëjta agjenci, ROC Nation. Përfaqësuesit e Viniciusit pritet të udhëtojnë drejt Madridit për të finalizuar detajet e marrëveshjes së re të lojtarit me klubin, ndërsa njëkohësisht do të diskutojnë edhe transferimin e talentit afrikan.

Nëse zyrtarizohet, marrëveshja prej më shumë se 100 milionë eurosh do ta vendosë Yan Diomanden mes transferimeve më të shtrenjta të kësaj vere. Njoftimi zyrtar pritet të bëhet para nisjes së Real Madridit drejt Austrisë, ku skuadra do të zhvillojë fazën përgatitore për sezonin e ri nën drejtimin e Jose Mourinhos.